Për herë të tretë në Prishtinë do të organizohet festivali i instrumentit të baterisë ‘Prishtina Drum Festival’, duke bërë bashkë komunitetin e këtij instrumenti dhe adhuruesit e tij. Ky edicion do të fillojë me 27 janar, në ambientet e Kino Armata nga ora 18:00, në Prishtinë, ku të ftuar do të jenë baterisët: Granit Paqarada, Nesim Maxhuni, Martina Barakoska nga Maqedonia e Veriut e cila ka performuar me shumë bateristë të njohur në botë dhe Emiljan Dhimo.
Rreth këtij festivali, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me bashkëthemeluesin e këtij festivali, Teoman Ukqa i cili tregoi për qëllimin e këtij festivali dhe programin e tij: “Qëllimi i këtij festivali është që të zhvillojmë dhe t’iu japim rëndësi komunitetit të drumerave (bateristëve) në Kosovë. Edicioni i parë është mbajtur në Kino Armata, i dyti në formatin online dhe këtë vit në edicionin e tretë do të mbajmë me prezencën e publikut në Kino Armata. Ne mendojmë që të vazhdojmë dhe ta kthejmë këtë festival në festival tradicional dhe të organizohet edhe vitet e ardhshme. Jemi munduar që këtë edicion vëmendja kryesore të jetë tek bateristët pjesëmarrës, duke e bërë edhe më të njohur këtë instrument dhe instrumentistët”.
Për shkak të situatës me Cvodi-19, festivali ‘Prishtina Drum Festival’, këtë vit, do të zgjasë vetëm një ditë. Por, në të ardhmen ky festival do të përfshijë edhe aktivitetet të tjera shtesë dhe performues nga vende të ndryshme.