Është normale që ndjenjat tona, disponimi dhe shëndeti ynë mendor në përgjithësi, të pësojnë ndryshime nga dita në ditë, varësisht nga çfarë është duke ndodhur brenda apo jashtë nesh. Në raste të tilla është me rëndësi ta kujtojmë që gjithmonë ka ndihmë dhe që nuk jemi asnjëherë vetëm.
‘Linja e Jetës’, një organizatë me vullnetarë të trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë, u përgjigjen telefonatave, në mënyrë profesionale, personave të cilët kanë probleme me depresionin, ankthin, madje kanë edhe mendime për vetëvrasje.
Radio KFOR-i bisedoi me përfaqësuesit e kësaj organizate, të cilët thanë se, ata janë aty për të gjithë personat që kanë nevojë. Përmes nesh, ata dhanë edhe një mesazh, ku thuhet se: “Nëse keni mendime për vetëvrasje apo jeni duke kaluar në periudha të vështira emocionale, telefononi në linjën e jetës, qendrën telefonike për parandalim të vetëvrasjes, çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 02:00 pas mesnate.”
‘Linja e Jetës’ ofron shërbime mbështetëse anonime, konfidenicale dhe pa pagesë. Gjatë thirrjeve, vullnetarët fokusohen në de-eskalim dhe në ofrim të mbështetjes emocionale, në mënyrë që të mund t’iu ofrojnë secilit telefonues një ndihmë afatshkurtër, ndihmë kjo e cila do t’ua mundësonte atyre që të mund ta vlerësojnë situatën në të cilën gjenden në një mënyrë racionale. Përveç kësaj, në përfundim të thirrjes, vullnetarët referojnë thirrësit te psikoterapeutët dhe psikiatërit, të besueshëm, në mënyrë që ata të marrin ndihmën afatgjate.