Kompania CACTTUS në bashkëpunim me Cacttus Education dhe Cyber Academy, do të organizojnë sot (28 teto) një diskutim të hapur me panelistë për sigurinë kibernetike.
Ky diskutim do të mbahet nga ora 16:00, në hapësirat e Shkollës së Lartë Profesionale e Teknologjisë së Informacionit “Cacttus Education”.
Në këtë diskutim, panelistë do të jenë: eksperti i sigurisë kibernetike, Drinor Selmanaj, menaxheri i Sigurisë së Informacionit, Albion Bikliqi dhe specialisti tjetër i sigurisë kibernetike, Arti Karahoda.
Menaxherja e Marketingut në CACTUSS, Nora Tuli tha për Radio KFOR-in se Siguria kibernetike është bërë një shqetësim kryesor mes të gjithë njerëzve në mbarë botën, dhe kjo është pjesërisht për shkak të sulmeve kibernetike drejtuar kompanive të ndryshme në vitet e fundit.
“Me anë të paneleve dhe trajnimeve për vetëdijesim, synojmë që gjeneratat e reja të bashkëpunojnë me institucionet dhe me kompanitë, e jo me individët e panjohur. Grupet kibernetike shfrytëzojnë çdo mundësi që iu jepet për të manipuluar me të rinjtë. Ne synojmë të bëjmë të kundërtën e tyre, duke i vetëdijesuar dhe duke i trajnuar që gjithnjë t’iu drejtohen kompanive me emër, institucioneve dhe nëse ka ndonjë tentim të manipulimit, si dhe ku t’i adresojnë këto”, tha Nora për Radio KFOR-in.
Tutje, ajo ka bërë të ditur se përveç trajnimeve dhe paneleve, kanë filluar edhe me vizita në shkolla fillore, me qëllim të vetëdijesimit të fëmijëve se si të mbrohen nga kërcënimet kibernetike dhe si t’i parandalojnë ato.