“Alkimist në natyrë”, “farmacist me krahë”, “engjëll i bujqësisë”, janë vetëm disa nga epitetet për bletët – insektet e bukura që i japin jetë planetit tonë. Bletët dhe pjalmuesit e tjerë, siç janë fluturat, lakuriqët e natës, etj…, janë gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga aktivitetet njerëzore, ndërkohë janë ‘përgjegjësit’ kryesor për mbijetesën e ekosistemeve tona. Gati 90% e specieve të bimëve të egra në botë, varen në masë të madhe nga pllenimi, së bashku me më shumë se 75% të kulturave ushqimore në botë dhe 35% të tokës bujqësore globale. Pjalmuesit, jo vetëm që kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore, por ata janë çelësi për ruajtjen e biodiversitetit.
Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjalmuesve, veçanërisht bletëve, kërcënimet me të cilat përballen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm, OKB-ja caktoi 20 majin, si “Ditën Botërore të Bletës” e qëllimi i kësaj dite është të forcohen masat që synojnë mbrojtjen e bletëve dhe pjalmuesve të tjerë. Në “Ditën Botërore të Bletës”, Radio KFOR-i sjell disa fakte pikërisht për bletët:
– Në Tokë, ka rreth 20.000 lloje të njohura të bletëve që banojnë në të gjitha kontinentet, përveç Antarktikut. Nga ky numër, vetëm 11 lloje prodhojnë mjaltin.
– Nëse fluturojnë pa ngarkesë, bletët mund të zhvillojnë shpejtësinë deri 65 km/h. Kur ngarkohen me nektar dhe polen, bletët fluturojnë ngadalë, 18-36 km/h, në varësi të drejtimit dhe erës.
– Gjatë fluturimit, krahët e bletës bëjnë të paktën rreth 200 lëvizje në sekondë ose 12.000 herë në minutë.
– Një bletë viziton rreth 10 lule për minutë. Nga një lule, bleta merr rreth 0.02 mg nektar.
– Për 1 kg mjaltë, bletët duhet të sjellin rreth 150.000 ngarkesa të nektarit ose gjithsejtë 3 deri në 4 kg nektar.
– Një koloni mesatare e bletëve mund të mbledhë deri në 10 kg mjaltë gjatë ditës.







