Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.
Në lidhje me shqiptimin e masave, Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Policisë së Kosovës, për Radio KFOR-in, njofton: “Aktivitetet dhe patrullimet policore janë shtuar në nivel vendi. Nga data 30 gusht, 2021 e deri më 22 shtator, 2021, janë shqiptuar rreth 50.000 mijë fletëparaqitje për kundërvajtje si dhe janë dhënë mbi 19 mijë vërejtje, për shkelësit e Ligjit Anti- COVID-19, referuar vendimeve për masat e përcaktuar nga Qeveria për parandalimin e pandemisë.”
Polica e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti-kovid, në mënyrë që edhe më tutje të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese.