Sot, në ‘Ditën Botërore të Mësuesve’, njihen shërbimet dhe kontributet e mësuesve në arsim si dhe vlerësohet roli dhe rëndësia e tyre, për zhvillimin e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë.
Për shënimin e kësaj dite, për Radio KFOR-in ka folur arsimtarja në Shkollën Profesionale “Ismail Dumoshi”, Shqipe Gashi – Rama: “Ka qenë padyshim një vit sfidues për të gjithë, njëkohësisht edhe për nxënësit, sepse pati periudha të ndryshme kur na është dashur të ligjërojmë online, përmes programeve dhe aplikacioneve, me të cilat nuk kemi punuar më parë. Na është dashur të mësojmë gjëra të reja nga teknologjia, në mënyrë që të japim më të mirën tonë, për nxënësit. E gjithë kjo punë ia ka vlejtur, duke marr parasysh edhe faktin se kështu i kemi përgatitur nxënësit edhe për testin e maturës dhe provimet e pranuese në fakultetet respektive.”
Tema e sivjetme e ‘Ditës Botërore të Mësuesve – 2021’, është “Mësuesit në zemër të rimëkëmbjes së arsimimit”. Kombet e Bashkuara (UNESCO) prezantuan këtë temë, për ditën e mësuesve në lidhje me përpjekjet e tyre të vendosura dhe të zellshme, në fazat vendimtare të pandemisë CoViD-19.