Në kuadër të kampanjës #Hikingk4 që po realizohet në Radio KFOR, sot e ftuar në kuadër të emisionit të mëngjesit ishte znj. Valdete Qollaku, themeluese e grupit të bjeshkatarëve nga Kosova ‘Nomad’, e cila ndau eksperiencën e saj dhe përfitimet që sjellin ecjet malore: “Ka 2 vite është hapur grupi i ecjeve ‘Nomad’ dhe pothuajse çdo javë kemi 30 deri në 60 persona, që vijnë në ecje malore. Sigurisht që fillimi i ecjeve është më i vështirë për fillestarët, por nuk duhet të hiqni dorë asnjëherë. Malet janë dashuri dhe sidomos pandemia i ka vetëdijesuar njerëzit më shumë ta duan natyrën dhe e mira është që kur fillon me ecje, nuk ndalesh asnjëherë dhe interesimi është shumë i lartë sidomos gjatë vikendit. Pjesë e rëndësishme e ecjeve janë edhe përfitimet shëndetësore dhe fizike prandaj mundohuni që ti bëni ecjet malore, pjesë të jetës suaj.”
Znj. Qollaku, ndër të tjera tregoi disa prej vendeve që kanë vizituar me grupin ‘Nomad’, e ato janë: Malet e Sharrit, Liqenatet, Koretniku etj. Po ashtu një nga vendet më të bukura që veçoi Valdetja mbetet Thethi, që është një nga vendet më të vizituara në veri të Shqipërisë.
Znj. Valdete pati edhe një mesazh për dëgjuesit, që të marrin pjesë në ecje malore, sidomos gratë, të gjejnë më shumë kohë për veten dhe të bëhen pjesë e bukurive që ofron natyra.