Festivali më i madh i filmit dokumentar në vend ‘Doku Fest’, këtë vit organizon edicionin e 21-të me radhë, nga data 5 deri me 13 gusht në Prizren. Mbi 200 filma dokumentarë nga e gjithë bota dhe personalitete të njohura të kinematografisë, pritet të takohen, shfaqin filma, dokumentarë dhe të krijojnë bashkëpunime të reja, në kuadër të këtij festivali. Rreth programit të këtij viti, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me shefen e komunikimit në DokuFest, znj. Fatjona Kabashi, e cila solli disa detaje nga ky edicion: “Programi do t’i rikthehet strukturës së vitit 2019 dhe viteve që e paraprijnë, d.m.th., siç ka qenë para pandemisë. Do të mbahen programet e DokuNights (program ky me performanca muzikore), DokuTech (program ky me konferenca për tema të ndryshme shoqërore), DokuKids (program që i angazhon fëmijët në aktivitete të ndryshme), DokuPhoto (ekspozita të fotografëve të njohur), etj. Por, filmat që do të shfaqen, akoma nuk janë përcaktuar.”
Pasi festivali është në fazën fillestare të përgatitjeve, tashmë ka hapur disa thirrje për rekrutimin e stafit të festivalit dhe akreditimin e mediave. Megjithatë, në kuadër të këtij festivali, tashmë janë mbajtur disa punëtori dhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë jo vetëm me filmin, por edhe me tema tjera të rëndësishme.