“Mjedisi nuk është pronë e askujt për ta shkatërruar, është përgjegjësi e të gjithëve për ta mbrojtur”, është kjo një nga qindra e mijëra thëniet që përkufizon rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka secili individ, në mbrojtjen e ambientit. Një nga materialet më të dëmshme për ambientin, është plastika, prandaj data e sotme, 25 maji, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare pa Plastikë”. Për shënimin e kësaj dite dhe rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të organizatës Qendra për Edukim dhe Zhvillim Mjedisor (Center for Education and Development of Environment) – CEDE, z. Arben Nika, i cili tregoi punën e palodhshme që po e zhvillon organizata në fjalë, në mbrojtje të ambientit: “Qe 3 vite jemi duke mbështetur të gjitha komunat e Kosovës, në hartimin e planeve komunale për menaxhim të mbeturinave, e ku theks të veçantë i japim çdo herë edhe shkaqeve të zjarrvënësve dhe masave për parandalimin e zjarrit. Përmes planifikimeve komunale çdo herë bëjmë vetëdijesimin e qytetarëve për zjarrin dhe masat. Kur jemi tek “Dita Ndërkombëtare pa Plastikë”, plastika është një prej materialeve që me vështirësi të madhe ose fare nuk degradohet nga vet natyra, prandaj duhet që të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e saj, që ta reduktojmë sa më shumë, e sidomos ta zvogëlojmë ose largojmë fare përdorimin e plastikës njëpërdorimshme, pasi sasia më e madhe e mbeturinave përmbajnë plastikën, pas mbeturinave organike, si një prej sasisë më të madhe të mbeturinave. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithëve, duke filluar nga fëmijët qysh në parashkollorë e deri tek moshat e shtyra, u apelojmë që të kenë kujdes, të mos hedhin plastikë në ambient. Plastikën mund ta grumbullojnë dhe ta hedhin në vende të kontrollueshme, meqë e njëjta mund të grumbullohet në pikat recikluese.”
“Dita Ndërkombëtare pa Plastikë” ka për qëllim që të rrisë vetëdijesimin për dëmin e plastikës, që ne e përdorim çdo ditë. Në këtë ditë, të gjithë duhet të angazhohemi që mos të përdorim plastikë e sidomos plastikën njëpërdorimshme, siç janë: shishet, enët, qeset dhe mbështjellësit e plastikës.