“Dita Botërore e Alzheimerit”, shënohet më 21 shtatori të çdo viti dhe është një ditë në të cilën organizatat të cilat merren me këtë çështje në mbarë botën, i përqendrojnë përpjekjet e tyre në shtimin e ndërgjegjësimit lidhur me sëmundjen e Alzheimer si dhe të demencave të tjera. Sëmundja që prek miliona njerëz në mbarë botën, ka një listë të simptomave të hershme, tha kështu për Radio KFOR-in Psikologia Klinike – Psikoterapiste Trupore, Antigona Qenaj Sejdiu dhe shtoi: “Humbja serioze e kujtesës, konfuzioni dhe ndryshime të tjera të mëdha në mënyrën se si funksionojnë mendjet tona mund të jenë një shenjë që qelizat e trurit po dështojnë. Ndërsa sëmundja e Alzheimerit zhvillohet përmes ndryshimeve në tru, çon në simptoma gjithnjë e më të rënda, duke përfshirë probleme me orientimin, humorin dhe ndryshimet e sjelljes, thellimi i konfuzionit për ngjarjet, kohën dhe vendin, dyshime të pabazuara në lidhje me familjen, miqtë dhe kujdestarët profesionistë, humbje më serioze të kujtesës dhe ndryshime të sjelljes, vështirësi në të folur, në gëlltitje, në ecje etj.”
Metodat e hershme të diagnozës dhe ndërhyrjes se hershme po përmirësohen në mënyrë dramatike, thotë Psikoterapistja, Qenaj Sejdiu, duke shtuar se opsionet e trajtimit dhe burimet e mbështetjes mund të përmirësojnë cilësinë e jetës: “Një nga mundësitë e ndërhyrjes së hershme përfshinë edhe psikoterapinë. Përdorimi i teknikave të relaksimit si frymëmarrja e thellë, meditimi, tokëzimi, këshillimi dhe terapia grupore etj. ndihmojnë që personi të menaxhojë më mirë simptomat e Alzhejmerit.”
Shënimi i “Ditës Botërore të Alzheimerit” çdo vit përfshinë aktivitete gjatë gjithë muajit shtatorë, mirëpo në vitin 2020 për shkak të pandemisë së shkaktuar nga CoViD019, shumica e aktiviteteve do të mbahen online.