“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, kjo është një ndër mijëra thëniet që i referohet rëndësisë së librit. Të lexuarit, duhet të jetë kulturë e çdoditshme, mirëpo se çka lexojmë është shije e secilit nga ne. Pasi jemi në fillim të vitit 2023 dhe atmosfera festive po mbizotëron edhe më tutje në botë, pse të mos frymëzohemi me libra që sjellin plot motiv tek secili prej nesh?!
Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i, ka zhvilluar intervistë me përfaqësuesen e librarisë Dukagjini, znj. Doruntina Drenovci, e cila na sugjeroi librat që mund të lexojmë ose t’i bëjmë dhuratë dikujt: “Ne të gjithë e dimë se sa i rëndësishme është leximi, e libri gjithmonë është një prej zgjedhjeve të njerëzve kur është fjala për t’i bërë dhuratë dikujt. Sot po sugjerojmë dy libra për të rritur dhe një për fëmijë, marr parasysh që edhe fëmijët u gëzohen shumë dhuratave. “Ruajtësja e historive me fund të lumtur’ nga Barbara Davis, është një libër që sjell për personazh një zonjë që udhëheqë një biznes të fustaneve të nusërisë. Një histori me shumë zhvillime dhe një tematikë e lehtë për t’u lexuar, sidomos për lexuesit që i duan fundet e lumtura. Një tjetër libër që po e sugjerojmë, është libri që është shpallë si përkthim i vitit 2022 në ‘Panarit e Librit në Tiranë’, është fjala për librin “Varfanjaku i Zotit” me përkthim nga Romeo Çollaku, në kuadër të Shtëpisë Botuese Dukagjini. Ky është një libër biblik dhe sipas vet autorit, të gjitha rrugët drejt shpirtërores janë të vështira, por që kemi gjithmonë shumë rrugë drejt shpëtimit. Ndërkohë, libri që sugjerojmë për fëmijët është “Planeti i Pemëve të Krishtlindjeve”. Ky libër sugjerohet për moshat mbi 9 vjeçare dhe është një libër fantashkencë nga Gianni Rodari, që është një prej autorëve më të preferuar të fëmijëve.”
Ndani çdo ditë nga koha juaj në mos më shumë, vetëm pesë minuta, për ta ushqyer mendjen me lexim dhe mos harroni, sa më shumë që lexoni, aq më të ditur do të jeni.