„Qendra Multimedia“ dhe Fondacioni „Shtatëmbëdhjetë“, sonte (30 shtator), nga ora 19:00, në hapësirën e Fondacionit „Shtatëmbëdhjetë“, organizojnë programin për artistë, “Prishtina nuk ka lumë“, program i cili mbështetet nga Ambasada Austriake.
Të interesuarit ftohen të jenë pjesë e leximit dhe diskutimit publik të autores austriake, Karin Peschka.
Romani i parë i autores Karin Peschka është „Watschenmann“ i botuar më 2014 dhe ka marrë çmime të ndryshme të letërsisë në Austri (çmimin Wartholz, çmimin Floriana dhe çmimin Alpha), ndërkohë për romanin e saj të dytë „FanniPold“ (2016), qyteti i Vjenës e shpërbleu autoren me bursën „Elias Canetti“ e cila iu ndahet artistëve vjenezë.
Libri i saj i fundit „Autolyse Wien“, një përmbledhje e tregimeve të shkurta, është botuar në vitin 2017. Një pjesë e këtij libri me titull „Wiener Kind“l (Fëmija vjenez) ka marrë çmimin e publikut në garën e përvitshme letrare për çmimin „Ingerborg Bachmann“ e cila organizohet në Klagenfurt.