Me përkrahjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, lanson sot (10 maj) faqen e internetit për raportimin e produkteve të rrezikshme ‘RAPEX Kosova’. Përmes kësaj faqeje synohet që publikut ti servohet informacioni për autoritetet inspektuese që monitorojnë sigurinë e produkteve në tregun e Kosovës dhe veçanërisht për raportimin e produkteve të rrezikshme jo-ushqimore që gjenden në tregun e Kosovës.
Nëpërmjet kësaj faqeje të qasshme publikisht, do të publikohen të gjitha njoftimet për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët, natyra e rrezikut të paraqitur si dhe masat e ndërmarra për parandalimin e këtyre rreziqeve. Përveç kësaj, përditësimet por edhe lajmet mbi ngjarjet kryesore të mbajtura në zonën e sigurisë së konsumatorëve do të shfaqen në faqen e internetit.