Kushdo që ka vajza, apo pret të bëhet prind i një vajze, të behet gati për ta jetuar një dimension të mrekullueshëm të jetës, ngase vajzat, janë të prira për të ofruar dashuri, kujdes e mirësi.
Pikërisht datën e sotme (11 tetor), Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka përcaktuar si ‘Ditë Ndërkombëtare të Vajzave’, e cila synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, në ligj, të ushqyer, kujdes shëndetësor, arsimim, trajtim i barabartë, etj.
‘Baballarët janë më të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm ndaj nevojave të vajzave, sesa të djemve’, e këtë konstatim të studimit të kryer së fundmi, ku u kryen skanime të trurit dhe regjistrime të ndërveprimeve të përditshme të prindërve me fëmijët e tyre, e pranon edhe z. Sami Rexha, baba i një djali dhe një vajze. Për kiminë e veçantë që ka ai me vajzën e tij, Ajanën, e tregoi ai vet, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it: “Pa dashur të bëj dallime, meqenëse të pasurit e fëmijëve të të dy gjinive, është bekim, më duhet ta pranoj faktin se, marrëdhënia që kam unë me vajzën time, është magjike. Ndoshta pse vajzat dinë ta manifestojnë më mirë dashurinë ndaj nesh, në këtë rast ndaj meje si baba, apo thjesht është diçka që ndodh në çdo raport vajzë-prind’, tha. Z. Rexha.
Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të keq ushqyera se sa djemtë. Çdo vit, rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç, janë të trafikuara dhe gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë.