Në çdo katër vite, ekipe futbolli nga kombe të ndryshme, bëhen bashkë për t’u përballur dhe për të fituar epitetin e më të mirit në Kupën e Botës, kampionat ky që është themeluar qysh në vitin 1930. Formati aktual i kampionatit përfshin 32 përfaqësuese, që garojnë për trofe, për rreth një muaj. Kampion në fuqi është Franca, e cila e fitoi turneun e vitit 2018, ndërkohë listës së kombëtareve që e kanë fituar Kampionatin Botëror, i prin Brazili, me pesë tituj të fituar, që njëherit është edhe përfaqësuesja më e suksesshme në Kampionatin Botëror. Kombëtaret e Italisë dhe Gjermanisë kanë nga katër tituj, pasuar nga Uruguai, Franca dhe Argjentina, që kanë nga dy tituj. Ndërkohë vende me nga një titull, janë Anglia dhe Spanja.
Përgjatë vitesh, Kampionati Botëror ka prodhuar edhe statistika rekorde, siç është Miroslav Klose – golashënuesi më i mirë në Kampionate Botërore, me gjithsej 16 gola të shënuara. I dyti është braziliani, Ronaldo me 15 gola, kurse në vend të tretë ndodhet legjenda gjermane, Gerd Muller me nga 14 gola. Ndërsa, rekordin për më së shumti gola të shënuara në një kampionat të vetëm, e mban Just Fontaine, me 13 gola të shënuara, në Kampionatin Botëror të vitit 1958.
Sivjet ‘Kupa e Botës 2022’, po mbahet në Katar e cila ka filluar nga 20 nëntori dhe do të përmbyllet me finale, që do të zhvillohet ditën e diel të 18 dhjetorit, atëherë kur do të ndahen çmimet për lojtarët dhe përfaqësueset, për arritjet e tyre gjatë këtij turneu botëror në futboll.