“Zgjidhje transformuese për zhvillim gjithëpërfshirës, roli i inovacionit në nxitjen e një bote të qasshme dhe të barabartë”, kjo është tema me të cilën këtë vit po shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Personave me aftësi të kufizuara’. Data e sotme 3 dhjetori, synon të rrisë ndërgjegjësimin për nevojat dhe përfshirjen e barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe për ti integruar ata në çdo aspekt të jetës sociale, ekonomike, politike dhe kulturore.
Rreth kësaj dite Radio KFOR-i, ka zhvilluar një intervistë me Zyrtaren për Komunikim në Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës në ‘Hendikos’, znj. Kaltërina Misini, e cila tregoi mbi sfidat me të cilat përballen kjo pjesë e shoqërisë: “Përkundër kalimit të viteve, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, vazhdojnë të hasin në vështirësi të mëdha në shumë fusha të jetës së përditshme, nisur nga qasja, që përkundër përpjekjeve të institucioneve, vazhdojnë të kenë barriera në rrugë e institucione, përfshirë këtu edhe në ato institucione ku duhet të marrin shërbimet esenciale. Ende ka mungesë të madhe të përfshirjes në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku sipas një statistike të UNICEF-it, veç 12 prej tyre janë pranë institucioneve shkollore. Pastaj, ende kanë sfida në punësim, në legjislacion etj. E kohëve të fundit si problematikë është bërë edhe vlerësimi jo i drejtë nga komisionet për persona me status paraplegjikë dhe tetraplegjikë, gjë që po i lë jashtë skemës së pensioneve.”
Znj. Kaltërina, potencoi gjithashtu se personat me aftësi të kufizuara kërkojnë vetëm zbatim të të drejtave të tyre elementare, të drejta themelore të njeriut, barazi, përmirësim të kushteve dhe gjithë përfshirje.