Meqenëse jemi duke shkuar drejt stinës së dimrit, duhet të rrisim kujdesin gjatë vozitjes duke marr parasysh se edhe gjendja e rrugëve nuk do të jetë optimale për vozitje, e kjo si shkak i ndryshimeve të klimës dhe reshjeve atmosferike.
Për të krahasuar aksidentet në komunikacion të këtij viti, me atë të vitit të kaluar, Radio KFOR-i kontaktoi zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha: “ Sipas analizave statistikore, megjithëse këtë̈ vit (2020), janë 24 persona më pak të vdekur në aksidente rrugore, nga janari deri në tetor, se sa në periudhën paraprake janar-tetor të 2019-tës, nga 68 persona që kanë humbur jetën në trafik këtë vit, mbi 50% prej tyre kanë qenë vet ngasës apo shoferë. Gjithashtu numri total i aksidenteve ( aksidentet në përgjithësi: me lëndime trupore, me dëme materiale dhe fatale) në periudhën e njëjtë kohore janar-tetor, është rreth 2390 aksidente më pak se vitin e kaluar. Pavarësisht këtyre statistikave, ne inkurajojmë̈ secilin qytetar që të jetë i kujdesshëm maksimalisht në momentin kur vendos që të jetë pjesëmarrës në rrugë, qoftë si drejtues automjeti apo edhe si këmbësor, sepse kujdesi dhe vigjilenca e shtuar gjithmonë minimizojnë edhe rrezikun për të qenë pjesë e statistikave të aksidenteve.”
Vozitni me kujdes, respektoni shenjat e komunikacionit dhe përshtatni vozitjen kushteve atmosferike, në këtë mënyrë e ruajmë veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.