“16-të ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” është një fushatë ndërkombëtare e cila zhvillohet çdo vit, duke filluar nga 25 Nëntori kur shënohet edhe “Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave” dhe mbaron më 10 Dhjetor kur shënohet “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo fushatë përdoret si një strategji organizimi nga individë dhe grupe në tërë botën për eliminimin e dhunës ndaj grave. Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi, Drejtoreshën e UN Women në Kosovë, zonjën, Vlora Tuzi –Nushi, e cila theksoi se edhe në Kosovë, përgjatë këtyre ditëve, do të ketë aktivitete të ndryshme: ”Zakonisht aktivitetet fillojnë në Prishtinë, këtë vit kemi menduar që të zbresin në nivel lokal dhe të vizitojmë Gjakovën. Prandaj, do të fillojmë me vizitën tek Kryetari i Komunës, bashkë me Ambasadorin e Bashkimit Evropian, meqenëse BE është një prej faktorëve kryesor të adresimit të dhunës në familje. Vizita do të vazhdojë në Strehimore e cila është një prej Strehimoreve që ka numrin më të madh të grave dhe fëmijëve të keqtrajtuar. Aty do të njoftohemi me punën që bëjnë. Pastaj do ta vizitojmë edhe furrën e cila është pronë e strehimoreve, ku prodhohet bukë dhe produkte të tjera, në mënyrë që të fuqizohen ekonomikisht dhe të integrohen në jetën normale.”
Përveç aktivitetit të lartpërmendur, më 25 nëntor, hapja e fushatës do të bëhet edhe përmes ndriçimit portokalli të disa institucioneve kryesore në Kosovës, për të njoftuar edhe publikun e gjerë për rrezikun që u kanoset grave nga dhuna në familje.