Për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave’, ka nisur fushata ’16 Ditë Aktivizëm’ kundër Dhunës me Bazë Gjinore, e cila do të zgjasë deri më 10 Dhjetor. E nisur në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’, kjo fushatë ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave.
Si mbështetje ndaj kësaj fushate, stafi i Zyrës së UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve) në Prishtinë, për 16 ditë me radhë do të bartin broshë, ngjyrë të bardhë dhe portokalli, që për simbol kanë kundërshtimin ndaj dhunës ndaj grave. Në lidhje me këtë nismë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Këshilltaren e Lartë për Çështje Gjinore dhe Përfshirje Sociale në UNOPS, Znj. Visare Gorani, e cila tregoi qëllimin e kësaj nisme: “Burrat dhe djemtë janë të inkurajuar që të bartin broshe të bardha si simbol i kundërshtimit të tyre ndaj dhunës kundër grave. Ndërsa, broshi ngjyrë portokalli është simbol i mbështetjes dhe avokimit kundër çdo forme të dhunës kundër grave. I gjithë stafi i UNOPS në Prishtinë do t’i bartë këta broshë si shenjë mbështetjeje ndaj Ditëve të Aktivizmit. Një tjetër aktivitet i planifikuar është edhe ai në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Suedeze, si një nga partnerët dhe donatorët e UNOPS, ku do të organizohet një kuiz për Dhunën me Bazë Gjinore për stafin përkatës dhe organizata partnere. Ky aktivitet do të ndiqet nga një diskutim një orësh për Dhunën me Bazë Gjinore.”
Në lidhje me organizimin e këtyre aktiviteteve, Znj. Gorani përçoi këtë mesazh: “UNOPS ka vendosur që të tregojë mbështetje në përpjekjet e përgjithshme në luftimin e Dhunës me Bazë Gjinore, duke bartur këto broshe dhe duke organizuar aktivitete tjera ndërgjegjësuese.”