Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) – Prishtina, ka njoftuar se nga data, 27 janar, ka filluar me aksionin për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave. Zëdhënësja e KRU ‘Prishtina’, Arjeta Mjeku përmes fekuencave të Radio KFOR-it, ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të paguajnë për shërbimet në të kundërtën pasojnë shkyçjet nga shërbimet: “Nga data 27 janar kemi filluar me aksionin për shkyçjen individuale të konumartorëve borxhlinjë nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, për shkak të mospagesave. Do të shkyçet secili konsumator që ka borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit në vlerë 100 euro e më shumë.”
Pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badovci, Kompania e Rajonale e Ujësjellësit-Prishtina do të japë maksimunin që qytetarët të mos përballen me reduktime, kështu tha zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku: “Kompania jonë mundohet që të mos e dëmtojë konsumatorin në marrjen e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm dhe dhe do të tentojë maksimalisht që të mos aplikojë reduktime deri në momentin kur do të jetë i pamundur një furnizim me ujë pa reduktime si shkak i mungesës së rreshjeve atmosferike.”
Ndryshe, sa përket paralajmërimeve për shkyçje, me to do të përballet secili konsumatorë që ka borxh mbi 100 euro. Borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim sipas Znj. Mjeku, është mbi 46 milion euro.