Duke njohur rolin jetik që bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, luajnë në zhvillimin ekonomik të një vendi, inkurajimin e inovacionit dhe krijimin e mundësive të punësimit në nivel global, dita e sotme 27 qershori, shënon ‘Ditën e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme’. Këto biznese janë kurrizi i ekonomisë globale, meqë përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të bizneseve në vende të zhvilluara dhe në zhvillim.
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, janë biznese me më pak se 250 punonjës dhe përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë bujqësinë, prodhimin, shërbimet dhe teknologjinë. Pavarësisht madhësisë së tyre, këto ndërmarrje japin një kontribut të rëndësishëm në GDP, të ardhurat nga eksporti dhe krijimin e vendeve të punës, duke u bërë motorë themelorë të zhvillimit ekonomik.
Inovacioni, është një tjetër fushë ku këto ndërmarrje shkëlqejnë. Ato ndodhen në krye të zhvillimeve teknologjike dhe të zgjidhjeve krijuese. Me burime të kufizuara, gjejnë mënyra inovative për të maksimizuar efikasitetin, ulur kostot dhe zhvillojnë produkte e shërbime të reja, që i plotësojnë nevojat e klientëve.