Komedia ‘Gënjeshtër pas gënjeshtre’, nga autori Anthony Neilson, me regji të regjisores Sevdije Ajeti, që e pati premierën në muajin qershor të këtij viti, në Teatrin e qytetit të Gjilanit, tani është veçse në repertuarin e këtij teatri. Komedia ‘Gënjeshtër pas gënjeshtre’, do të prezantohet para publikut sot, me datën 20 dhe nesër me datën 21 tetor, me fillim nga ora 20:00 dhe aty do të luajnë edhe trupa e Teatrit të qytetit të Gjilanit.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj komedie, Radio KFOR-i bisedoi me Regjisoren, Sevdije Ajeti, e cila tha: “Komedia ‘Gënjeshtër pas gënjeshtre’ është e punuar me mjeshtëri, sepse sa herë punojmë një vepër, ne e sfidojmë veten me një detyrë më të vështirë dhe sigurisht që na duhet përkushtim, guxim, përqendrim dhe emocion, për të arritur një komunikim me të tjerët, në mënyrë që puna jonë të duket dhe të tingëllojë më së miri. Puna si regjisore, sidomos për një grua, nuk mund të them se është e lehtë, duke pasur parasysh kur je nënë dhe familjare, por me mbështetjen e familjes lehtësohet edhe puna ndaj këtij profesioni.”
Regjisorja Sevdije Ajeti, ka realizuar shumë zhanre të shfaqjeve, si dramë, absurd dhe komedi, të cilat kanë një shikueshmëri të vazhdueshme dhe e cila po shihet dhe dëshmohet edhe me komedinë e fundit, në Teatrin e Gjilanit, që po ka një interesim shumë të madh të shikueshmërisë. Vlen gjithashtu të përmendim se, znj. Ajeti, në vitin 2016, është shpallur ‘Regjisorja e vitit’, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe këtë çmim ajo po vazhdon ta mbajë me punën e vazhdueshme, duke krijuar vepra të suksesshme artistike në fushën e teatrit.