‘Dita Ndërkombëtare e Kontrollorëve të Trafikut Ajror’, shënohet çdo vit me datën 20 tetor dhe shënon përvjetorin e IFATCA (Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kontrolluesve të Trafikut Ajror), e cila u themelua më 20 tetor, të vitit 1961. Kjo ditë ka për qëllim të njoh punën e të gjithë burrave dhe grave në botë, që punojnë për të ndihmuar që udhëtimi ajror, të jetë mënyra më e sigurt e mundshme e transportit. Për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i bisedoi me Kontrollorin e Trafikut Ajror (KTA), në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, z. Besian Hysaj, i cili tha se profesionin e KTA-së e cilëson si të vështirë, mirëpo edhe shume atraktiv: “Unë nuk do të them se profesioni i KTA-së është profesioni më i mirë, sepse atëherë do të jem shumë subjektiv, mirëpo ky është një profesion shumë sfidues dhe kreativ, është profesion i vendimeve të mëdha dhe të shpejta, nganjëherë brenda 10 sekondave, prandaj ata të cilët kërkojnë sfida dhe kreativitet në profesion, atëherë këtë mund ta gjejnë në profesionin e Kontrollorit të Trafikut Ajror.”
Z. Hysaj, pati edhe një porosi për dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Me që po flasim për profesionet, unë do t’i apeloja dëgjuesve të Radio KFOR-it, se mënyra më e mirë për të zgjedhur profesionin, është që të vendosni për atë profesion ku ju ndiheni më së miri. Pra mos zgjedhni profesione për shkaqe sekondare, siç janë p.sh. të mirat materiale, statusore, privilegje, sepse pasi t’i përmbushni të gjitha këto, do të shihni se nuk e keni përmbushur të vetmen kënaqësi e cila është e pashtershme, kënaqësinë shpirtërore.”
Kontrollorët e Trafikut Ajror, çdo vit kujdesen për sigurinë e mbi 3.5 miliardë pasagjerëve në qiell.