Stina e verës, përveç që sjell temperaturat e larta, sjell edhe nevojën për t’u hidratuar. Uji pa dyshim mbetet një nga pijet më hidratuese gjatë verës, por koktejet freskuese me shije të pemëve dhe alkoolit, po ashtu, na ndihmojnë që ditët e gjata të verës t’i kemi edhe më të mira. Rreth pijeve dhe koktejeve të preferuara të kësaj vere, kemi zhvilluar një intervistë me banakierin, Faton Cakolli:
“Sa i përket pijeve pa alkool do të propozoja një kombinim me shalqi, me ujë të gazuar, gjethe mente, akull dhe sirup dredhëze që krijohet një kombinim shumë i mirë, freskues dhe hidratues për verë. Me përbërësit e njëjtë, mund të bëni edhe pije alkoolike, duke shtuar vodkë dhe limoncello. Gjatë stinës së verës më shumë kërkohen pijet me fruta të shtrydhura të freskëta të sezonës, birra dhe kokteje. Kurse, tri kokteje që do i propozoja t’i provoni gjatë verës janë: mojito, volcano beach dhe limoncello”.
Nga ana tjetër, profesionistët apelojnë që gjatë stinës së verës, të mos konsumohen shumë pije të gazuara, me shumë sheqer, që ndikojnë në dehidrim, por duhet të ushqehemi shëndetshëm, duke pirë deri në dy litra ujë, në ditë.