Data e sotme, 6 Prill, që nga viti 2013, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe”. Një nga klubet ku në vazhdimësi promovohet sporti dhe ruajta e ambientit dhe ku për këto qëllime angazhohen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, është edhe organizata jo-qeveritare ‘Klubi Alpin Prishtina’, e cila pati aktivitete të shumta, për të shënuar këtë ditë.
“Vetëm një ditë më parë, në kuadër të aktiviteteve të klubit Alpin Prishtina, qytetarë nga komuniteti shqiptar, serb, rom etj., të gjithë jemi bërë bashkë në shtigjet e Gërmisë”, tha kështu për Radio KFOR-in, kryetari i Klubit në fjalë, z. Nazmi Hasanramaj dhe ndër të tjera shtoi: “Ne në ditën e djeshme kemi dalë dhe kemi punuar në shtigjet e Gërmisë, në përcaktimin dhe kategorizimin e shtigjeve lidhëse mes Graçanicës dhe Janjevës, në Malet e Gërmisë. Ideja ka qenë që ne së bashku me organizata nga Graçanica dhe Lipjani, me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, bashkë të bëjmë diçka, një lloj aktiviteti, i cili ka simbolikë edhe shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe’. Besoj që kemi dërguar një mesazh edhe tek shoqatat dhe grupet e tjera sportive ose që merren me sport dhe ne do të vazhdojnë të merremi sa më shumë me aktivitete, të cilat përfshijnë krahas tjerash edhe komponentin e mjedisit e të paqes.”
‘Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe’ shënohet si një iniciativë vjetore për sportin, për të nxitur ndryshimet sociale në zhvillimin e komuniteteve, për të pasur paqe edhe përmes sportit.