“Humanizmi është vepër, paqja është qëllim dhe siguria është themel”, e këto po gërshetohen në misionin e KFOR-it në Kosovë. Zyrat e Organizatës Joqeveritare HANDIKOS, të hënën (02.06.25), ishin nikoqire të një aktiviteti humanitarë që është nismë e KFOR-it, e që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek komunitetet më të ndjeshme në Kosovë, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuar. Komanda e LMT-së në Prishtinë, në bashkëpunim me organizatën HANDIKOS dhe Shoqatën e Osteopatisë dhe Mjekësisë së Integruar nga Italia ‘Kairos’, kanë sjellë një ekip specialistësh osteopatikë për të ofruar trajtime falas për fëmijët me aftësi të kufizuara.
I pranishëm në këtë aktivitet, ishte Komandant i LMT-së në Prishtinë, Kapiteni Federico Russotto, i cili për Radio KFOR-in, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Edhe ndihmat më të vogla kanë rëndësi për këto familje dhe këta fëmijë. Me këtë iniciativë ne tregojmë që KFOR-i është i pranishëm dhe i gatshëm të ofrojë ndihmë atje ku ka më shumë nevojë. Besoj se edhe këto ndihma të vogla ndihmojnë dhe forcojnë prezencën e KFOR-it për të gjithë njerëzit dhe organizatat këtu në Kosovë, sidomos për ata që kanë nevojë për përkujdesje të përditshme dhe të vazhdueshme.”
Kjo nismë është mirëpritur nga organizata HANDIKOS, e cila prej vitesh është angazhuar në mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Menaxherja e Programit në HANDIKOS, znj. Gresa Stublla, në një prononcim për Radio KFOR-in, tha se ky bashkëpunim është i një rëndësie të veçantë, sidomos për shkak të kostos së lartë të këtyre shërbimeve dhe shtoi: “Trajtimet osteopatike janë të shtrenjta në Kosovë, prandaj kur ofrohen falas nga një ekip profesional ndërkombëtar si ky nga Italia, është një ndihmë e jashtëzakonshme për familjet. Kjo është hera e parë që këta fëmijë marrin një shërbim të tillë dhe kjo është mirëpritur me shumë entuziazëm. Bashkëpunimi me KFOR-in, përveç që ofron siguri për vendin tonë, është një mbështetje reale për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara. Do të dëshironim që kjo mbështetje të mos ndalet, sepse është shumë e nevojshme, sidomos në aspektin e mirëqenies fizike dhe emocionale të fëmijëve, të cilët janë në fazën më të ndjeshme të zhvillimit.”
Në mesazhin e saj, drejtuar të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, znj, Stublla gjithashtu shtoi: “Ashtu sikurse misioni i KFOR-it që është këtu për paqe dhe siguri, edhe HANDIKOS-i synon barazi, dashuri dhe përfshirje për të gjithë personat me aftësi të kufizuara”.
Ndërkohë, Përgjegjësja për Marrëdhëniet me Publikun në shoqatën “Kairos’, për Osteopati dhe Mjekësi të Integruar, znj. Eleonora Moriconi, tregoi pë fillet e bashkëpunimit me Kosovën dhe sjelljen e terapisë osteopatike në vendin tonë: “Në vitin 2023 vizituam Klinikat e QKUK-së dhe filluam të prezantojmë osteopatinë si një metodë të re për Kosovën. Fillimisht na mirëpritën në repartin e onko-hematologjisë dhe më pas klinikat filluan të kërkojnë që të ofrojmë trajtime për pacientët e tyre. Që nga misioni ynë i parë, kemi bashkëpunuar ngushtë me KFOR-in, që na ka ndihmuar të shpërndajmë këtë shërbim në të gjithë Kosovën. Ajo që ne dëshirojmë, është që përmes KFOR-it të ndihmojmë sa më shumë fëmijë në Kosovë, t’ua lehtësojmë dhimbjet dhe të përmirësojmë mirëqenien e tyre.”
Znj. Moriconi shtoi se puna e tyre është përkrahur edhe nga institucionet vendore, duke kulmuar me një marrëveshje të nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës në fund të vitit 2023, për ofrimin e trajtimeve osteopatike pediatrike, në të gjitha klinikat në Kosovë.
Ndërkohë, ky bashkëpunim është një shembull tjetër i misionit humanitar që ka KFOR-i në Kosovë, që në vazhdimësi përkujdeset që krahas sigurisë për të gjithë njerëzit në Kosovë, të kontribuojë edhe në mirëqenien e shtresave më të ndjeshme të shoqërisë – fëmijët me nevoja të veçanta.







