‘Dita Botërore e Kafshëve të Egra’, e cila shënohet sot (03.03.22), është një mundësi për të festuar shumë forma të bukura dhe të larmishme të faunës dhe florës së egër si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për përfitimet e shumta që u ofron njerëzve ruajtja e tyre.
Në këtë ditë, ne të gjithë duhet të kujtojmë përgjegjësinë që kemi për tu kujdesur dhe për ti mbrojtur ekosistemet tona lokale, nga shkatërrimi.
Kafshët e egra që jetojnë në natyrë, kanë një vlerë të jashtëzakonshme në jetën e secilit, meqë ato kontribuojnë në aspektin ekologjik, gjenetik, social, ekonomik, shkencor, arsimor, kulturor, rekreativ dhe estetik të mirëqenies njerëzore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ishte Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që vendosi ta shënojë këtë ditë me datë 3 mars, për të dhe rritur ndërgjegjësimin për faunën dhe florën e egër në botë.
Për fat të keq, në vendin tonë ende ka shumë kafshë të egra të rrezikuara nga zhdukja, si nga faktori natyror ashtu edhe nga ai njeri. Sipas shoqatave të gjuetarëve të Kosovës, nga gjuetia ilegale janë të rrezikuara: fazanët, thëllëzat, lepujt, kaprojtë, rrëqebujt ballkanik, derrat e egër dhe arinjtë.
Këtë vit ‘Dita Botërore e Kafshëve të Egra’, po shënohet nën temën ‘Rikuperimi i specieve, kyç për restaurimin e ekosistemit’.