Një numër i madh personash kanë marrë pjesë në ngjarjen e përvitshme “Vrapo Babadimër”, e cila organizohet nga z. Jusuf Islami, çdo dhjetor në Prishtinë. Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është mbledhja e donacioneve për t’i ndihmuar familjet e varfra në Kosovë, me rastin e festave të fund vitit. Mirëpo edhe këtë vit, kësaj kauze iu bashkuan edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilët mblodhën fonde prej 3 mijë e 180 eurosh. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc KAJÁRI, mori gjithashtu pjesë në manifestimin bamirës “Vrapo Babadimër”, në mëngjesin e 12 dhjetorit, i cili synon të ndihmojë 700 familje kosovare në nevojë.
Gjeneral KAJÁRI, përshëndeti pjesëmarrësit e mbledhur në sheshin Skënderbe, në qendër të Prishtinës dhe u tha atyre se misioni i KFOR-it nuk është vetëm të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, por edhe të jetë afër të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Çeku iu dorëzua organizatorit të manifestimit “Vrapo me Babadimrin”, z. Jusuf Islami, i cili falënderoi të gjithë ushtarët e KFOR-it për kontributin bujar.
Ky është viti i katërt me radhë që KFOR-i po ndihmon dhe po merr pjesë në manifestimin lokal bamirës “Run with Santa”, tregoi z. Islami dhe për Radio KFOR-in, më tej shtoi: “Këtë vit e kemi shënu edicionin e 6-të ‘Vrapo Babadimër’, që tashmë është bërë tradicional. Me blerjen e kostumeve, ne mundohemi që ti dalim në ndihmë shumë familjeve në nevojë. Këtë vit kanë marrë pjesë rreth 1 mijë babadimra. Jemi mirënjohës dhe të nderuar edhe me pjesëmarrjen si dhe me praninë e Gjeneralit të KFOR-it, dhe trupave paqeruajtëse të KFOR-it, në këtë maratonë humanitare dhe duhet përmendi faktin se Gjenerali na premtoi se kjo ngjarje, do të përcillet nga ata çdo vit. Nga kjo kauzë e po ashtu nga shitja e kostumeve, ne kemi arritur që ti mbledhim 3180 euro dhe ti gëzojmë shumë familje në nevojë.”
Tutje, z. Islami tregoi se tanimë ka filluar edhe paketimi i ushqimeve dhe shpërndarja e pakove për mbi 700 familje skamnore.