Vendi ynë ende po vazhdon të përballet me pandeminë COVID-19 dhe për fat të mirë, kohëve të fundit në Kosovë kemi pasur një situatë të menaxhuar mjaft mirë nga autoritetet shëndetësore.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, informohet se në 24 orët e fundit nga 1.443 testime, 3 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa për fat të mirë gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes.
Procesi i vaksinimit gjithashtu po vazhdon të jetë në ndër mënyrat më efektive për të luftuar këtë virus, ku në 24 orët e fundit janë dhënë edhe 310 doza, duke dërguar kështu numrin e dozave të administruar në 1.624.843 persona.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është informuar se momentalisht 11 pacientë me COVID-19 po marrin trajtim në spitalet e Kosovës, ndërsa janë edhe 28 pacientë të tjerë post-Covid të cilët po trajtohen. Me oksigjeno-terapi janë 10 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive nuk ka pacientë të shtrirë.