Të hënën (17.03.25), në Stacionin Policor të Gjilanit u përurua zyrtarisht “Dhoma Familjare”, në prani të udhëheqësve institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë. Kjo hapësirë është e dedikuar për të mbështetur viktimat e dhunës në familje. Dhoma Familjare u bë e mundur, falë mbështetjes së KFOR-it. Duke folur për Radio KFOR, Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale – Lindje, Nënkolonel Evan Hessel, tha: “Ky projekt do të ofrojë një hapësirë të sigurt për anëtarët e komunitetit që janë në nevojë ose në ankth. Ky shërbim për komunitetin është me rëndësi të madhe dhe ne, jemi mirënjohës për mundësinë që të jemi pjesë e tij. Ne duam të rikonfirmojmë angazhimin e KFOR-it ndaj popullit të Kosovës.”
Krijimi i kësaj hapësire do të ndihmojë ndjeshëm hetuesit që mbulojnë rajonin e Gjilanit, i cili përfshin edhe gjashtë komuna të tjera: Vitinë, Kamenicën, Novobërdën, Kllokotin, Parteshin dhe Ranillugun. Tri nga këto komuna kanë një popullsi kryesisht shqiptaro-serbe dhe konsiderohen komuna model për të tjerat.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Nënkolonel Ismet Hashani, gjithashtu konfirmoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe shprehu mirënjohjen për donacionin në fjalë: “Jemi mirënjohës ndaj donatorëve, veçanërisht KFOR-it, për këtë mbështetje. Edhe pse mund të duket simbolike, vlera e saj është e jashtëzakonshme. Mund të them me bindje të plotë, se rastet e dhunës në familje raportohen pa hezitim nga të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata në komunat me shumicë serbe. Kjo është inkurajuese dhe një tregues i rëndësishëm i progresit të Policisë së Kosovës, në sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjithë njerëzit. Policia e Kosovës vepron me dyer të hapura 24/7 dhe ne, mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar këdo që ka nevojë për mbështetjen tonë.”
Me këtë donacion në mbështetje të viktimave të dhunës në familje, KFOR vazhdon të tregojë përkushtim për të ndihmuar të gjithë njerëzit dhe institucionet që punojnë për mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë.