Më 19 mars, të secilit vit, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Leximit me Zë për Fëmijët”, një iniciativë globale që inkurajon prindërit, mësuesit dhe kujdestarët të lexojnë me zë për të vegjlit. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e leximit, në zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe përfitimet afatgjata të këtij rituali.
Studiuesit theksojnë se leximi i rregullt me zë ndihmon në zhvillimin gjuhësor, përmirëson imagjinatën dhe rrit aftësinë e të kuptuarit te fëmijët. Përveçse është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar lidhje emocionale mes prindërve dhe fëmijëve, leximi ndihmon gjithashtu në rritjen e fjalorit dhe përgatitjen e tyre për shkollim.
Edhe në Kosovë, kjo ditë po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, duke u kthyer në një mundësi për të promovuar kulturën e leximit te brezat e rinj.
Mesazhi kryesor i kësaj dite mbetet i thjeshtë, por i fuqishëm “Lexoni me zë për fëmijët çdo ditë dhe ndihmojini ata të dashurohen me librin!”.