Kontigjenti kanadez, i cili vepron në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ka ndihmuar Qendrën për Mirëqenien e Grave në Pejë, duke iu dhuruar disa aparate për fikjen e zjarrit.
Aparatet që përdoreshin në këtë Qendër ishin 20 vjet të vjetra, andaj kjo Qendër, e cila është strehë për viktimat e dhunës familjare, si: gra, vajza dhe fëmijë, është jashtëzakonisht mirënjohëse për këtë donacion.
Stafi i Radio KFOR-it ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të këtyre aparateve për fikjen e zjarrit, me ç‘rast intervistoi koordinatoren e dhunës familjare në këtë Qendër, Lumturie Ibra, e cila tha:
“Ky donacion ka qenë shumë i mirëpritur, sepse e thamë edhe në fillim që gratë që strehohen këtu, fillimisht e kanë atë ndjenjën e pasigurisë, kështu që me të hapur derën, ne u ofrojmë mundësi që ato të ndihen të sigurta. Këtu brenda në ambient, kemi pasur dy incidente teknike, kështu që këto donacione janë shumë të mirëpritura, sepse sadopak ne e dimë sigurt se nëse ndodh diçka ndihemi më të sigurta”.
Mesazhi që ajo përçoi nga përvoja e punës në Qendër, është mesazh uniteti për të gjitha nacionalitetet dhe raportet e mira ndërmjet të gjitha grave që strehohen aty, pa dallim moshe, gjinie apo race.
“Te na nuk ka dallime, as race as gjinie as nacionaliteti. Ne i strehojmë të gjitha ato raste që atakohen me dhunën në familje, pa marrë parasysh se nga kush, mirëpo te na trajtohen si të gjitha rastet tjera. Kemi pasur edhe nacionalitetin serb, boshnjakë, romë edhe nacionalitete gjermane, norvegjeze. Domethënë të gjitha që na kanë referur që kanë pas nevojë dhe nuk ka pasur asnjë problem, pasi janë riintegruar me këto kliente që kanë qenë këtu, sepse fillimisht i kanë mësuar rregullat dhe nuk ka dallime, andaj gjithçka ka shkuar si është më së miri”, tha Ibra.
Pajisja e Qendrës për Mirëqenien e Grave në Pejë me këto aparate për fikjen e zjarrit është vetëm një nga projektet e shumta që së fundmi ka realizuar kontigjenti kanadez, i cili operon në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Më shumë detaje për këtë projekt dha ushtaraku kanadez, John Haylock, i cili ndau edhe një përvojë të tijën:
“Projekti CIMIC-ut të Kontigjentit Kanadez është në mesin e projekteve që kanë ndikim personal tek secili anëtar. Ky projekt ishte për dhurimin e pajisjeve për fikjen e zjarrit, për t’iu ofruar siguri nga zjarri grave që jetojnë këtu. Në të kaluarën time personale, unë jam një i mbijetuar nga zjarri, sepse kam kaluar nëpër një djegie serioze më parë, prandaj kur e pash këtë kërkesë për këto pajisje, ne vendosëm që të bëjmë diçka për të ndikuar për këtë projekt…Mesazhi im për njerëzit në Kosovë është që e gjithë kjo po bëhet për një ambient më të sigurt për ju, jo vetëm në perspektivën ushtarake, por edhe për kthim në shtëpi të sigurta e siguri në familje”.
Një mesazh inspirues nga aktivitetet humanitare të KFOR-it për mirëqenien e të gjithë qytetarëve e dha Kapitenia Denisa Pllumaj, oficere koordinuese në zyrën e CIMIC-ut, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Kosovë, e cila tha:
“KFOR është këtu për t’i mbështetur të gjithë njerëzit e Kosovës, duke i bërë ata të ndjehen më të sigurt dhe duke iu ofruar gjithçka që mundemi. Pra, KFOR-i është i përqendruar në rolin e tij të funksionimit, për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të njerëzit e Kosovës, si dhe është i angazhuar gjithashtu të mbështesë përpjekjet e komuniteteve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të shëndetshme për gjeneratat e ardhshme. KFOR është këtu për t’ju mbështetur dhe për ta bërë Kosovën një vend të sigurt dhe me një jetë më të mirë”.
Kontigjenti kanadez i KFOR-it projektin e radhës do ta prezantojë më 23 gusht në Osojan.