KFOR-i po vazhdon të përkrahë të gjithë banorët në Kosovë pa dallim, si dhe institucionet e ndryshme, përfshirë edhe ato shëndetësore. Sot (28.02.23), falë një projekti të CIMIC–ut (Bashkëpunimi Ushtarak Civil i KFOR-it) i iniciuar nga LMT-të, të cilët veprojnë në zonën e Komandës Rajonale – Perëndim, ishte Qendra e Shëndetit Mendor (QSHM ) në Podujevë, ajo e cila u pajis me mjete cilësore mjekësore.
I pranishëm në dorëzimin e këtij donacioni ishte nënkolonel Horvath Sandor, i cili për Radio KFOR-in tha: “Arsyeja që jemi këtu, është që t’i dorëzojmë këtij Instituti, një donacion nga ushtarët hungarez. Në fakt, këtë shumë parash e mblodhën vetë ushtarët dhe jam shumë krenar me ta. Kjo Qendër kishte nevojë për disa artikuj, disa pajisje në shërbim të pacientëve dhe jam shumë krenar që ne u dolëm në ndihmë. Shpresoj se në të ardhmen kontingjenti hungarez dhe ky institut do të vazhdojnë bashkëpunimin.”
Kjo qendër, ka ofruar shërbime dhe trajtim për më shumë se 200 pacientë vetëm pas periudhës së pandemisë COVID-19.
Mirënjohëse për ndihmën e KFOR-it, ishte edhe Kryeinfermierja e QSHM, në Podujevë, znj. Hajrie Zeqiri, e cila këtë donacion e sheh si një ndihmë shumë të mirë për pacientët e kësaj qendre: “Jemi shumë falënderues për këtë ndihmë, e cila është e mirëseardhur sepse këtu ofrojmë terapi edukative. Pjesën më të madhe të kohës, pacientët e kalojnë duke kryer punë kreative, e cila ju ndihmon në rehabilitimin e tyre. Prandaj, ky donacion do të na ndihmojë shumë.”
KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore, përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC-ut dhe do të mbështesë çdo iniciativë, që mund të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.