Mësimi i gjuhës së fqinjëve na afron më shumë dhe na jep mundësinë të njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Duke reduktuar pengesat e komunikimit, ne rrisim mundësitë tona në karrierë. Në vendin tonë, një mundësi për mësimin e gjuhëve shqipe dhe serbe, na e ofron platforma “VocUp”, e krijuar në vitin 2018, si përgjigje ndaj mungesës së komunikimit mes njerëzve nga komunitete të ndryshme.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, drejtori i Qendrës për Iniciativa Sociale, Veljko Samargjiq (Samardžić), tregoi se si u krijua platforma VocUp: “Një grup entuziastë dhe aktivistë të shoqërisë civile, nga dy komunitetet më të mëdha, dolëm me idenë për të bërë diçka. Thjesht, ne shikonim nevojat tona për të funksionuar normalisht, për t’u kuptuar të paktën në gjërat elementare. Kuptuam se barrierat gjuhësore nuk janë vetëm pengesë në komunikim, por edhe një burim serioz i cili po na mban larg me njëri tjetrin.”
Platforma multimediale VocUp është e përbërë nga 12 kurse të ndryshme online në uebsajt dhe aplikacione, nga seriali televiziv “Le të kuptojmë njëri-tjetrin!”, 10 botime të shtypura të literaturës për mësimin e gjuhëve si dhe kurse klasike të ndjekura nga pothuajse një mijë njerëz. Përveç gjithë kësaj, VocUp përfshin edhe kuize dixhitale, si dhe teste për të përcaktuar nivelin e njohurive të gjuhës shqipe dhe serbe.
“Ne jemi gjithashtu krenarë për digjitalizimin e fjalorit të dyanshëm shqip-serbisht me mbi 40.000 fjalë dhe shprehje, të cilin e krijuam në bashkëpunim me IOM-in dhe me mbështetjen e madhe të UNMIK-ut. Kursi online, është shumë i lehtë për t’u përdorur. Nga niveli fillestar A1 deri në nivelin C2 që po e krijojmë aktualisht, me kurse të specializuara, ne po përpiqemi të sigurojmë që të gjithë, pavarësisht njohurive të mëparshme, të mund të gjejnë përmbajtje për veten e tyre. Faqja jonë është vizituar nga rreth 78,000 përdorues unikë të cilët kanë vizituar rreth 400,000 faqe. Ky është informacioni më i saktë që njerëzit në Kosovë kanë nevojë të mësojnë gjuhët e fqinjëve të tyre”, theksoi Samargjiq.
Më tej drejtori i Qendrës për Iniciativa Sociale, z. Veljko, tha se çdo ditë, VocUp publikon postimet e veta në rrjetet sociale, në një formë të shkurtër dhe kreative, ku përdoruesit kanë mundësi të mësojnë të paktën një fjalë në ditë dhe gjithashtu shtoi: “Mesatarisht, gati 200 mijë përdorues të internetit në Kosovë shohin të paktën një nga postimet tona çdo muaj. Arsyet më të shpeshta për të mësuar gjuhën e fqinjëve janë mundësitë më të mira të punësimit, por edhe dëshira për të takuar njerëz nga komunitetet e tjera.”