Sërish kthehet gara e veturave të shpejta në Prishtinë e organizuar nga Auto Klubi ‘Euro Goma RT” dhe Federata e Auto Sporteve të Kosovës, në bashkëpunim me Prishtina Racing Cars (PRC), promovuese e kësaj gare. Organizatorët theksojnë se me 15 qershor janë kualifikimet, ndërsa një ditë më pas me 16 qershor, mbahen garat në kategorinë “Drag Race”, garë ndërmjet dy veturave, të cilat garojnë në një shteg të drejtë e të shkurtër si test i shpejtësisë. Në këtë garë janë të përfshira tri kategori të veturave: 4×4, veturat me tërheqje të gomave të para dhe kategoria e tretë janë veturat me tërheqje të gomave të pasme. Në një prononcim për Radio KFOR-in, Arlind Ramadani nga PRC, fton adhuruesit e shpejtësisë që të marrin pjesë në këtë garë, në pistën e gjatë 402 metra.
“Adhuruesit e shpejtësisë, në vend se të bëjnë gara nëpër rrugë dhe të marrin gjoba, le të vijnë në këtë pistë dhe të shfryejnë adrenalinën e tyre në këtë garë”, tha Ramadani. Ai gjithashtu shtoi se kjo pistë është në dispozicion edhe ditëve të zakonshme, e kontrolluar nga ana e mbikqyrësve dhe një ditë kushton pesë euro. Në ditën e kualifikimeve, vozitësit do të kenë dy vozitje kualifikuese ku secilës veturë do ti matet koha dhe do t’i përcaktohet klasa. Ndërsa, të dielën, më 16 qershor, gara fillon nga ora 11:00, në pistën e vjetër të aeroportit të Prishtinës.
Gara të tilla do të ketë edhe në muajin Gusht dhe në muajin Tetor, të parapara për kategori garash ‘Drag Race’.