Klubi ‘Old Timers – Prizreni’, organizon për herën e 14-të festivalin ‘Old Timers Fest’, një festival të ekspozimit të veturave të vjetra sot (14.06.19) duke filluar nga ora 10:00 në parkingun e qendrës ‘Abi Qershia’, në Prizren. Pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës do të sjellin vetura të ndryshme që datojnë nga vitet e 30-ta dhe adhuruesit e veturave kanë mundësi që t’i shohin nga afër. Kryetari i klubit ‘Old Timers’, Visar Kolshi për Radio KFOR-in, tregoi për këtë edicion të manifestimit dhe për të veçantat që do të sjell ky aktivitet:
“Klubi ynë është themeluar në vitin 2006 dhe që nga ai vit ne organizojmë manifestimin e ekspozimit të veturave të vjetra. Këtë vit do të kemi pjesëmarrës nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Gjermania, Anglia, Shqipëria e vende të tjera. Manifestimi fillon sot, me 14 qershor dhe zgjat deri më 19 qershor. Disa ekspozime do të mbahen edhe në Tiranë, Gjirokastër, Sarandë dhe Butrint të Shqipërisë dhe qëllimi është të promovojmë kulturën e veturave të vjetra”, tregoi Visari.
Ekspozimi do të jetë i hapur për të apasionuarit e veturave të vjetra, që nuk i shohim çdo ditë.