“Rrugëto për të kujtuar, jo për tu përkujtuar”, kjo ishte motoja e koncertit të grupit muzikor Elita 5, që ishte paraparë të mbahej më 15 qershor, te Sheshi i Lidhjes së Prizrenit, në nder të 13 vjetorit të themelimit të klubit “MC Eagles”. Klubi i motorëve në Prizren “MC Eagles”, i cili është edhe organizator i aktivitetit në fjalë, përmes një njoftimi në faqen e tyre në facebook, treguan se koncerti në fjalë nuk do të mbahet:
“Të nderuar miq dhe simpatizantë të “McEagles”, ju njoftojmë se festa e paraparë më datën 15 qershor 2019, me vendim të kryesisë se klubit, është anuluar për shkak të aksidentit të ndodhur dhe gjendjes jo të mirë të anëtarit tonë. Shpresojmë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të anëtarit të klubit tonë, Imron Spahija dhe bashkëshortes së tij. Me përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore, kryesia do të vendosë për datën e re të mundshme të këtij eventi”, thuhet në njoftimin e klubit “MC Eagles”.
“Rrugëto për të kujtuar, jo për tu përkujtuar”, kishte për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion.