Rubrika ‘Artist of the Day’, sot është e rezervuar për këngëtaren e njohur, Britney Spears, e cila është cilësuar me shumë emra, ndër ta edhe me titullin, mbretëresha e muzikës Pop. E lindur me 2 dhjetor të vitit 1981, Britney Spears ka treguar se asnjëherë nuk duhet dorëzuar në rrugën për t’i realizuar ëndrrat tona. Para publikut, për herë të parë ajo kishte dalë në moshën 5 vjeçare, kur këndoi këngën “What Child Is This”. Në moshën 8 vjeçare ajo kishte filluar edukimin në Shkollën e Performimit Profesional të Arteve, në New York. Ajo ishte pjesë e spektaklit ‘Star Search’, ku kishte kaluar vetëm raundin e parë. Pak vite më vonë, ajo ishte refuzuar edhe nga tri shtëpi diskografike.
Pas shumë përpjekjeve, më 1998, Britney Spears, kishte nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Jive Records’, ku kishte incizuar albumin e saj të parë, ‘Baby One More Time’. Me këtë album, Britney kishte nisur një seri të koncerteve në qendrat tregtare në SHBA, që njihej si ‘Hair Zone Mall Tour’. Albumi i saj i parë debutoi në pozitën numër 1 në ‘Billboard 200’. Pas suksesit të albumit të parë, Britney lansoi edhe albumin tjetër, ‘Oops, I Did It Again’, me të cilin shiti plot 20 milionë kopje. Ky albumi shënoi një fillim të ri për këngëtaren. Në të njëjtin vit, ajo kishte performuar edhe në ‘VMA MTV’, ku kishte pranuar se ishte në lidhje dashurie me këngëtarin e famshëm, Justin Timberlake.
Më 2002, Britney kryesonte listën e ‘Celebrity 100’ të revistës së famshme ‘Forbes’. Në të njëjtin vit ajo u nda nga këngëtari Justin Timberlake. Vetëm një vit më vonë, më 2003, ajo ishe rikthyer në qendër të vëmendjes me performancën përkrah këngëtares Madonna, në ceremoninë ‘VMA’, ku dyshja kishin shkëmbyer një puthje, e cila kishte bërë bujë. Dyshja patën një shoqëri mjaft të afërt pas kësaj paraqitje, andaj shumë fansa e fajësonin këngëtaren Madonna, për ndikim negativ në jetën e Spears.
Më 2003, Britney lansoi edhe albumin ‘In the Zone’, që e bëri atë artisten e parë grua me 4 albume që debutuan në pozitën e parë. Më 2004, ajo u martua me shokun e saj të fëmijërisë, Jason Alexander në Vegas. Martesa mes tyre kishte zgjatur vetëm 55 orë. Në të njëjtin vit, ajo u fejua me Kevin Federline. Ata u martuan në vjeshtë dhe Britney njoftoi fansat se do të pushojë një kohë nga muzika, për të krijuar familje me Kevinin. Ata patën dy fëmijë, Sean dhe Jayden James. Gazetat e cilësonin atë si nënë e pakujdesshme, sepse shpeshherë ishte fotografuar duke vozitur me fëmijë në prehër. Martesa mes tyre kishte përfunduar më 2007. Pas kësaj kthese, ajo ishte përballur me probleme të shumta, për të cilat ishte trajtuar në qendra rehabilituese. Pas tejkalimit të këtyre problemeve, ajo u bë pjesë e serialit ‘How I Met Your Mother’, më 2008 dhe fitoi tri çmime në ceremoninë ‘VMA’ për këngën ‘Piece Of Me’. Ajo kishte realizuar edhe një turne nëpër botë, nga i cili kishte fituar 131 milionë dollarë. Ajo mban rekord ‘guiness’, si artisja më e re që ka pasur 5 albume që debutojnë në pozitën e parë. Së fundmi, këngëtaren Spears jemi mësuar ta shohim si anëtare e jurisë në spektaklet e talentëve të rinj.