E premtja (23.11.18) e kësaj jave i është dedikuar fëmijëve në kinemanë e qytetit të Pejës, “Jusuf Gërvalla”. Me fillim nga ora 16:30, Anibar do të shfaqë një program dedikuar fëmijëve.
Koordinatorja e projekteve në Anibar, Arlinda Kastrati në një prononcim për Radio KFOR-in ka ftuar të gjithë fëmijët që të jenë prezent, në ditën dedikuar jetës kulturore për fëmijë, mirëpo ajo na njoftoi edhe me përmbajtjen e programit për nesër “Një ditë në Kinema – Program me filma të animuar për fëmijë”:
“Ne kemi përgatitur të premtën një program për fëmijë me filma të animuar. Ky program do të zgjasë 40 min. Filmat janë përzgjedhur nga Drejtori Artistik, Petrit Gora dhe filmat e animuar që do të shfaqen të premten më 23 nëntor, janë filma të festivalit të kaluar të Anibar. Pjesë e kësaj ditë është edhe një punëtori e cila do të mbahet para shfaqjes së filmit. Me këtë, ne duam të kemi sa ma shumë aktivitete për qytetarët në kienema. I ftojmë të gjithë fëmijët të vijnë dhe të kënaqen me filmat e animuar”.
Sipas organizatorëve, hyrja është falas për të gjithë!