Ngjarje të shumta do të zënë vend në Kosovë edhe përgjatë kësaj jave. E fillojmë me ngjarjet e fushës së kulturës, është Galeria Kombëtare e Kosovës, aty ku nesër, me 8 nëntor, do të hapet ekspozita personale e autorit Jeton Gusia, e titulluar “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”. Ekspozita në fjalë është kuruar nga Blerta Hoçia.
Po këtë javë, më konkretisht me datën 11 nëntor, PriBeats mbanë episodin e radhës, i cili këtë herë mirëpret artistin që ka hiç më pak se 30 vite karrierë në muzikë, Quenum! Kjo ngjarje është mundësuar nga Win Music Freedom Kosova, Komuna e Prishtinës & Ministria e Kulturës.
Po këtë javë, më konkretisht më 15 nëntor, është afati i fundit për regjistrim i bizneseve në “Ping Pong Business Tournament”. Siç njoftojnë organizatorët, e Klubit të Pingpongut Priping, “Ping Pong Business Tournament” do të jetë turneu i parë i pingpongut, i organizuar për bizneset e regjistruara në Kosovë, i cili mundësohet nga 11Points dhe Klubi i Pingpongut Priping. Turneu do të zhvillohet në ekipe, ku secili biznes mund të paraqes një ekip me 3 lojtarë dhe 1 rezervë. Ndryshe, turneu do të mbahet më 10 dhjetor dhe mjetet e mbledhura nga ky turne, do të dhurohen për klubin e Pingpongut Prishtina Femrat.
Këtë javë, më konkretisht me datën 14 nëntor, organizata jo qeveritare dhe jo fitimprurëse, Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS”, organizon ngjarjen “WDoR 2022”, e cila ka për objektiv të sigurojë një platformë për viktimat e trafikut rrugor dhe familjet e tyre, për të kujtuar të gjithë njerëzit e vrarë dhe të lënduar rëndë në rrugë. Aktivitetet e #WDoR2022, do të zgjasin 7 ditë dhe fillojnë nga data 14 deri më 20 nëntor, që është edhe “Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor”.