‘Open Data Week’ na jep një mundësi për të reflektuar për përparimet tona dhe për të punuar për një të ardhme më transparente dhe më të përfshirë për të gjithë.
Me aktivitete të ndryshme, përfshirë seminare, punëtori dhe prezantime, në shumë vende të botës shënohet java e Open Data, që sivjet po zë vend në datat 2 mars, deri më 8 mars, 2024.
Edhe në vendin tonë operon organizata civile e teknologjisë Open Data Kosovo (ODK), e cila është e fokusuar në transparencën e qeverisë që ka të bëjë me qeverisjen e hapur dhe të mirë. Qasja në të dhënat e qeverisë, të rinjtë e arsimuar në TIK dhe qytetaria aktive, qëndrojnë në qendër të misionit të ODK-së. ODK ka zhvilluar edhe portalin e parë të hapur të të dhënave për Kosovën në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike në Kosovë.
Vlen të përmendim se liderët e rinj të Open Data Kosovo, u përfshinë në listën e personave më të suksesshëm të Forbes, për moshat deri në 30 vjeç në Evropë. Nominimi thekson punën e ODK-së në zhvillimin e softuerit të drejtuar nga ndikimi për të mbështetur grupet e avokimit dhe politikëbërësit, në mënyrë që ata të mund të operojnë me efikasitet në epokën digjitale.
Java e Open Data ka për qëllim të promovoj transparencën, inovacionin dhe përdorimin e të dhënave të hapura, për të zgjidhur problemet dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë.