Njëra ndër fushatat e fundit që është duke u realizuar nga Policia e Kosovës, thotë “Njihuni me Policin e lagjes tuaj!”.
Përveç ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe zbatimin e ligjit, Policia e Kosovës po organizon edhe shumë fushata të tjera, që për qëllim kanë të forcojnë raportet miqësore dhe reciproke të partneritetit me qytetarin, bashkësitë, institucionet, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Përmes fushatës “Njihuni me Policin e lagjes tuaj!”, synohet ruajtja dhe rritja e nivelit të besimit dhe aktivizimit të qytetarit në kërkesa të drejta, me qëllim të krijimit të një ambienti pa frikë nga krimi dhe mirëbesimi, në mes të publikut dhe policisë.
Përgjatë fushatës, njoftohet se detyrat kryesore të zyrtarit të sektorit policor janë: krijimi dhe mirëmbajtja e raporteve miqësore me bashkësinë, identifikon dhe adreson brengat e qytetarëve që rrezikojnë sigurinë e bashkësisë në sektor dhe i adreson ato tek eprorët e policisë, mbanë takime me bashkësinë kur trajtohen problematika të sigurisë në sektor patrullues, rreth parandalimit të krimit, bashkëpunon ngushtë dhe merr pjesë sipas nevojës me përfaqësuesit e organeve të qeverisjes lokale, përfaqësuesit e bashkësisë fetare, shoqërisë civile, shkollave, mediat dhe të pjesëtarëve të bashkësisë të interesuar për bashkëpunim.
Po ashtu, në koordinim me strukturat udhëheqëse në stacionin policor, realizon ligjërata dhe prezantime në shkolla për vetëdijesimin e të rinjve lidhur me dukuritë negative dhe masat parandaluese.
Mos ngurroni, për çdo parregullsi të njoftoni Policinë e Kosovës në numrin 192 dhe përmes aplikacionit “Lajmero Policine”, që të kemi një jetë të sigurt dhe më të qetë!