Sot (05.06.23), në Prishtinë nis ‘Java e Krenarisë’, me aktivitete të shumta që do të zgjasin përgjatë gjithë javës në mbështetje dhe fuqizim të personave LGBTQI+. Aktivitetet në fjalë do të organizohen me qëllimin të ngritjes së vetëdijes kolektive dhe përkrahjes së orientimeve seksuale ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë tonë. Në këtë javë do të adresohen çështje të ndryshme me të cilat përballen personat e këtij komuniteti, për të luftuar diskriminimin dhe trajtimin e barabartë të personave LGBTQI+, në Kosovë.
Me sloganin “T’du qashtu qysh je”, organizatorët kanë treguar që duan t’ua rikujtojnë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor. Në kuadër të kësaj jave, do të mbahen parada, diskutime, ekspozita dhe koncerte me aktivitete të tjera në mbështetje të personave LGBTQI+.