“Në botë rreth 400 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, përjetojnë rregullisht dhunë fizike ose psikologjike në shtëpi.” Kjo statistikë alarmante e UNICEF-it tregon se sa vendimtar është roli i prindërve në krijimin e një mjedisi të sigurt, të dashur dhe mbështetës për fëmijët.
Çdo vit, më 1 qershor, bota shënon ‘Ditën Botërore të Prindërve’, një ditë e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 për të nderuar përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Kjo ditë synon të rikujtojë rëndësinë që ka familja në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve. Prindërit janë mësuesit e parë të jetës, ata formojnë karakterin, edukatën dhe vlerat e brezave të rinj.
Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, sfidat e prindërimit janë bërë edhe më të mëdha, duke përfshirë presionin ekonomik, teknologjinë, mungesën e kohës dhe ndikimet sociale.
Sipas OKB-së, familja mbetet themel kryesor i shoqërisë dhe ka përgjegjësinë kryesore për rritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Për një zhvillim të shëndetshëm, çdo fëmijë ka nevojë të rritet në një ambient me dashuri, mirëkuptim dhe siguri.
Tema e këtij viti (2026), me të cilin shënohet ‘Dita Botërore e Prindërve’ është, ‘Together for Parents’ (Së bashku për prindërit), e cila thekson nevojën që shoqëria, institucionet dhe komunitetet të mbështesin prindërit në përgjegjësitë e tyre të përditshme.







