Radio KFOR-i realizoi një intervistë me Kolonelen, Afërdita Mikullovci, në lidhje me “Dhomat familjare”, apo siç po i quan Kolonele Mikullovci “Dhoma mike”, të cilën mund ta lexoni më poshtë lajmit:
Radio KFOR: Para së gjithash a mund të prezantoheni?
Kolonele, Afërdita Mikullovci: Jam Kolonele Afërdita Mikullovci, jam drejtoreshë rajonale e Policisë Rajonale në Mitrovicë të Jugut. I takoj gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, d.m.th. në shtator i bëj 23 vite përvojë pune. Nga viti 2018, apo për katër vite jam Drejtoreshë Rajonale e Mitrovicës e cila mbulon tri komuna, Mitrovicë të Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj.
Radio KFOR: Çfarë janë dhomat familjare dhe për kë shërbejnë konkretisht?
Kolonele, Afërdita Mikullovci: “Dhomat familjare” apo edhe ndryshe siç i quajmë “Dhomat mike”, kryesisht shërbejnë për viktimat e dhunës në familje, viktimat e mitura, rasteve të mitura, rastet e dhunës seksuale, të trafikimit të qenieve njerëzore, por kryesisht më së tepërmi shfrytëzohen për rastet e dhunës në familje.
Dhomat të cilat ndryshojnë dhe dallojnë nga zyrat tona të policisë së rregullt, për shkak se kanë një ambient më të ngrohtë, pothuajse janë sikurse dhomat e shtëpisë sonë, ndeja familjare, do të thotë kanë tavolina, kanë karrige dhe mure të ngjyrosura. Qëllimi i këtyre dhomave familjare është që viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e tjera të rasteve të ndryshme, të ndjehen rehat, në një mënyrë më të ngrohtë. Këto dhoma u ofrojnë atyre personave, një ambient shumë më të ngrohtë sesa ambienti policor.
Radio KFOR: A do të jetë afatgjatë ky projekt?
Kolonele, Afërdita Mikullovci: Po, këto projekte do të jenë po aq sa do të ekzistojë Policia, veçse këto do të shkojnë duke u avancuar dhe profesionalizuar. Ne jemi shumë mirënjohës ndaj organizatave ndërkombëtare. “Dhomën mike”, të cilën e kemi rregulluar së fundmi, e kemi falë bashkëpunimit me KFOR-in, kryesisht me karabinierët dhe do tu jemi gjithmonë mirënjohës dhe falënderues, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, e veçanërisht Kolonel Stefano dhe Togerit Defalco, konkretisht nga Karabinierët, të cilët na ndihmuan ta rregullojmë “Dhomën mike”, në Stacionin Policor në Skenderaj, stacion ky i vetmi pa “Dhomën mike”. Hapësira ka qenë e dedikuar, por në mungesë të fondeve dhe buxhetit, ka mbetur e pa rregulluar. Përderisa në nivel regjional dhe në Stacionin Policor Jugu dhe Vushtrri, i kemi pasur të rregulluara këto dhoma, falë disa donatorëve nga UN WOMEN, UNOPS e kështu me radhë. Këto dhoma ofrojnë një qetësi, një ambient më të ngrohtë dhe familjar por edhe të sigurt policore. Këto dhoma do të zbusin njëkohësisht atë fazë e cila konsiderohet e mundimshme, e dhimbshme, e lodhshme, stresuese kur je në ambientet e policisë dhe ndoshta të intervistohen prindërit, nëna, ndoshta anëtarët e tjerë të familjes, babai apo kushdo qoftë, ndoshta fëmijët janë viktima, do të thotë, këto dhoma janë të përshtatshme për të gjithë.
Radio KFOR: Ju lutem, a mund të ndani me dëgjuesit tanë ndonjë numër telefoni, se ku mund të informohen apo të drejtohen ata persona që ndihen të kërcënuar si dhe një mesazh për fund?
Kolonele, Afërdita Mikullovci: Po, unë i kisha lutur të gjithë qytetarët që të jenë bashkëpunues me Policinë e Kosovës. Ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues, por kurrë nuk është e tepërt, do të thotë, ndoshta qytetarëve iu duket se është realisht një çështje minore, por ata nuk e dinë se me një telefonatë, ata e shpëtojnë një jetë, por edhe e shpëtojnë një familje dhe një të ardhme të shëndoshë të fëmijëve. Për shkak se dhuna në familje, trafikimi, dhuna seksuale, problemet, rastet, incidentet ndaj të miturve e miturave, ne i kemi prezente, po ne jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe raportimi ndikon edhe në të ardhmen tonë dhe të shoqërisë sonë. Kështu duke kontribuar, punuar, duke mësuar, duke u avancuar, duke edukuar, do të thotë duke vetëdijesuar dhe normalisht duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet relevante, të gjitha këto ndikojnë në sigurinë tonë dhe në sigurinë e të ardhmes në familjet tona, fqinjëve tanë, shoqërisë tonë në përgjithësi.
Do të thotë, kontaktet janë të shumta, është numri emergjent, është lidhja emergjente 192, pastaj linja tjetër edhe pse nuk është direkt me Policinë e Kosovës 112, por është gjithmonë e qasshme.
Pastaj është aplikacioni lajmëro policinë, mos ta harrojmë, do të thotë është aplikacion i cili i ka mundësitë e veta, avancimet e veta, kanë mundësi që të jenë edhe anonim.
Pastaj është e-mail-i zyrtar info@kosovopolice.com i cili mund të shfrytëzohet dhe zakonisht marrim informata të shumta ku raportojnë, krime apo informacione të ndryshme të cilat mjaft shumë kontribuojnë në zbardhjen e tyre apo parandalimin e shumë rasteve të tjera apo veprave penale të tjera, apo edhe çfarëdo lloj incidenti i cili shqetëson shoqërinë tonë, komunitetin tonë.
Ne iu bëjmë thirrje të gjitha viktimave dhe ankuesve, që të raportojnë në çdo kohë. Policia e Kosovës është jashtëzakonisht e interesuar që ti trajtoj dhe ta them të drejtën që për 23 vite me radhë, për çdo vit, kemi trajnime të ndryshme, punëtori të ndryshme, takime të ndryshme, posaçërisht me theks të veçantë në fushën e parandalimit dhe hetimit të rasteve të dhunës në familje. Polica është maksimalisht e interesuar që ti trajtoj dhe i bëjmë thirrje, që të mos hezitojnë, le të na kontaktojnë, sepse Policia është një hallkë e zinxhirit kur trajtohen këto raste të dhunës.