Më poshtë lajmit mund të lexoni intervistën e plotë me Këshilltaren për Çështje Gjinore të EULEX-it, Chiara Tagliani, për dhomat familjare në Kosovë, të realizuar nga Radio KFOR-i:
Radio K4: Çfarë janë dhomat e ndjeshme për intervista në qendrën e viktimave?
Këshilltarja Gjinore e EULEX-it: Për shkak të natyrës traumatike të formave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, një qasje e përqendruar te viktima në këto lloj raste është thelbësore, për të kuptuar përvojën specifike të viktimës, për ta ndihmuar atë në mënyrë efektive dhe për të shmangur viktimizimin e mëtejshëm. Kjo kërkohet edhe nga standardet e përcaktuara për të drejtat e njeriut, duke përfshirë dispozitat e Konventës së Stambollit. Intervista e parë e dhënë nga viktimat është shpesh shansi më i mirë për të marrë provat e duhura, për të ndërtuar një çështje ligjore të shëndoshë dhe për t’i siguruar viktimës qasje efektive në drejtësi.
Viktimat duhet të ndihen të sigurt dhe të jenë në gjendje të japin deklaratën e tyre në një mjedis të qetë dhe të përshtatshëm. Ambientet ku kryhen intervistat duhet të lejojnë krijimin e një marrëdhënie besimi midis viktimës dhe personelit të zbatimit të ligjit.
Aftësia për të kryer intervista të ndjeshme në një mjedis miqësor ndaj viktimave, synon të ndihmojë oficerët e policisë të marrin dëshmi më të sakta dhe të detajuara, duke rritur kështu gjasat që çështja të shkojë drejt ndjekjeve penale, gjykimit dhe përfundimisht, dënimeve dhe korrigjimit efektiv. Kjo është ajo për të cilën flasim kur flasim për “dhomat e ndjeshme të intervistimit të fokusuara tek viktimat”.
Këto dhoma duhet të vendosen në stacionet e policisë dhe shërbejnë si një hapësirë e sigurt për të shqyrtuar opsionet dhe mbështetjen e disponueshme, duke përfshirë paraqitjen e një raporti kundër autorit të dyshuar.
Konkretisht, dhomat që janë ngritur në mbarë Kosovën janë me ngjyra të ngrohta të pajisura me tapet, batanije, karrige të buta, TV, tavolinë kafeje dhe kënd për fëmijë.
Brendësia është larg dhomës tradicionale të policisë së marrjes në pyetje, gjithashtu për të rikthyer konceptin se dhomat e marrjes në pyetje nuk duhet të përdoren për viktimat, veçanërisht viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Radio K4: Cilët janë hapat e mëtejshëm dhe si mundet të ndihmojë organizata juaj?
Këshilltarja Gjinore e EULEX-it: Siç kemi elaboruar tashmë, qëllimi përfundimtar i një qasjeje miqësore ndaj viktimave dhe shërbimeve të përqendruara te viktimat është fuqizimi i viktimave, parandalimi i ri-traumatizimit dhe përfundimisht, dëmshpërblimi efektiv për viktimat. Për më tepër, viktimat kanë nevojë për mbrojtje adekuate nga dhuna e mëtejshme, mbështetje dhe ndihmë në mënyrë që të kapërcejnë pasojat e shumta të një lloji të tillë traumatizues të dhunës dhe të rindërtojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Çdo institucion i përfshirë në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (jo vetëm zbatimi i ligjit, por edhe autoritetet gjyqësore, OJQ-të dhe shërbime të tjera mbështetëse) kanë një rol thelbësor dhe këto dhoma janë vetëm një segment i shërbimeve që duhet të jenë në vend, për të mbështetur viktimat. Në përputhje me përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën në zbatimin e Konventës së Stambollit, ne në EULEX do të vazhdojmë të mbështesim policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera në rritjen e kapaciteteve të tyre në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Radio K4: Cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë dëgjuesit e Radio K4-it?
Këshilltarja Gjinore e EULEX-it: Raportoni dhunën. Për ju u krijuan dhoma të ndjeshme intervistash në qendër të viktimave!