Radio KFOR-i realizoi një intervistë me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Ekselencën e Tij, Christoph Weidinger, në lidhje me organizimin e ‘Ditëve të Gjuhës Gjermane’, të cilën mund ta lexoni më poshtë:
Radio K4: Shkëlqesia Juaj, ‘Ditët e Gjuhës Gjermane në Kosovë’ kanë filluar me datën 8 maj, a mund të na tregoni më shumë për qëllimin e organizimit të këtij manifestimi dhe për bashkëpunimin tuaj me Ambasadën Gjermane dhe Zvicerane?
Ambasadori i Austrisë: Siç thotë edhe emri ‘Ditët e Gjuhës Gjermane’, qëllimi i këtij organizimi është të tregojë rastin nga tre vendet si Gjermania, Zvicra dhe Austria, kontributet kulturore në gjuhën gjermane, e cila siç e dini është një gjuhë shumë e pasur, ka një literaturë të pasur dhe ne kemi një kontribut shumë të veçantë për të dhënë. Prandaj, sa herë e kemi këtë festival, tre ambasadat tona bashkëpunojnë shumë ngushtë, por ne kontribuojmë secila me ngjarjet tona dhe shpresojmë që edhe këtë herë të vijnë shumë njerëz në organizimin tonë.
Radio K4: A mund të ndani me audiencën tonë ngjarjet specifike që Austria po sjell këtë vit?
Ambasadori i Austrisë: Austria ka dy fusha kryesore në këtë festival, njëra është letërsia, e tjetra është filmi. Letërsia është zgjedhur sepse Ministria e Jashtme e Austrisë ka përzgjedhur letërsinë, si fushë kryesore këtë vit, për politikë të saj të jashtme kulturore.
Vitin e ardhshëm Austria do të jetë vend i ftuar, kështu që do të kemi shumë ngjarje të letërsisë, me këtë rast kam kënaqësinë të them se kemi një letërsi të autores austriake, Petra Nagenkögel. Ajo tashmë ka bërë një lexim fundjavën e kaluar këtu në Prishtinë dhe do të japim një tjetër edhe në Prizren dhe kemi edhe pedagogë tanë edhe Universitetin e Prishtinës, të cilët do të organizojnë për studentët kosovarë të Gjuhës Gjermane, një piknik në gjuhën gjermane, ku studentët ftohen të prezantojnë një poezi në gjuhën gjermane, në ambientin e bukur të parkut të Prishtinës. Pra, mendoj se kjo është një ide shumë e bukur. Me kolegët e mi nga Ambasadat Gjermane dhe Zvicerane, javën e kaluar kemi vizituar Universitetin e Prishtinës, ku ishim në departamentet e Gjuhës Gjermane dhe më ka bërë shumë përshtypje të dëgjoj se ky është departamenti i dytë, për sa i përket numrit të studentëve. Aty ishin 350 studentë dhe unë i pashë studentët, ata ishin shumë të motivuar dhe flisnin shkëlqyeshëm gjermanisht. Pra, mendoj se kjo është një ide shumë e bukur që pedagogu ynë, i cili është atje në Universitetin e Prishtinës, të shkojë me studentët në park, ku studentët shprehin kreativitetin e tyre edhe në gjuhën gjermane.
Po ashtu, në Universitetin e Prishtinës kemi ekspozitën e autorit shumë të njohur austriak, i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar dhe ka qenë një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë austriak, mirëpo e kemi edhe një film.
Radio K4: Sot publiku do të ketë mundësi të shohë filmin austro-gjerman të shumë çmuar “Grosse Freiheit”. Mund të na thoni diçka më shumë për filmin dhe mesazhin që përmban ky film?
Ambasadori i Austrisë: Jemi shumë të kënaqur, që ne nga Ambasada e Austrisë, të cilët po e mbështesim këto ngjarje, mund ta shfaqim këtë film së bashku, sepse është një ko-produksion me Austrinë dhe Gjermaninë. Ky film ka marrë shumë çmime dhe ishte në listën e ngushtë për çmimin OSCAR këtë vit, por jam veçanërisht i kënaqur që mund ta shfaqim këtë film edhe në ‘Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë’. Jam shumë i lumtur që mund ta shfaqim këtë film, sot me datën 17 maj.
Radio K4: Në fund të intervistës sonë, cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë popullin e Kosovës?
Ambasadori i Austrisë: Këtu keni kaq shumë njerëz të talentuar, me ëndrra, ambicie, me interesime të ndryshme dhe mund të them se është shumë e rëndësishme të punoni mbi ëndrrat tuaja dhe t’i realizoni ato. Dhe meqë ra fjala, Austria, në një nga prioritetet e saj në Kosovë, në bashkëpunim me UNICEF-in, mëton që të ndihmojë të rinjtë në rrugën e tyre, përmes arsimimit në jetën profesionale.
Pra, do të thoja, kini besim dhe ndiqni gjithmonë ëndrrat tuaja.