17 maji i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe Informimit të Shoqërisë (WTISD)”. Në një përgjigje për Radio KFOR-in, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare-ARKEP kanë theksuar rëndësinë e shënimit të kësaj dite, e cila sa vjen e bëhet më e rëndësishme: “Dita Botërore e Telekomunikacionit shënon përvjetorin e themelimit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (UNT), kur për herë të parë me datën 17 Maj, është nënshkruar Konventa ndërkombëtare e Telegrafit, në Paris. Që nga kjo datë, telekomunikimet kanë pasur zhvillim të jashtëzakonshëm, e në veçanti në dekadën e fundit. Sot, rëndësia e telekomunikacionit jo vetëm që është e rëndësishme për vet këtë treg, përmes përmirësimit të mënyrës së komunikimit, por gjithashtu është shtytës i pakontestueshëm i zhvillimit edhe të sektorëve tjerë dhe zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror dhe ekonomisë së një vendi. Padyshim, telekomunikimi është pjesë e përditshme dhe e pandashme e jetës së qytetarëve dhe jo vetëm që ndikon në përmirësimin e jetës dhe kualitetit të shërbimeve, por gjithashtu është element i rëndësishëm në sigurinë e vendit. Rëndësia e telekomunikacionit është vërejtur edhe së fundmi gjatë pandemisë COVID-19, ku falë konkurrencës, e cila ekziston në Kosovë, sa i përket shtrirjes së infrastrukturave dhe llojllojshmërisë së shërbimeve, qytetarëve u është mundësuar ofrim i shërbimeve pa ndërprerje.”
Sa i përket historikut “Dita Botërore e Telekomunikacionit dhe Informimit të Shoqërisë”, shënohen çdo 17 maj, qysh nga viti 1969, për të nderuar themelimin e UNT dhe nënshkrimin e Konventës së parë Ndërkombëtare të Telegrafit, në vitin 1865.