Dhurimi i gjakut është një akt human, që mund të bëjë diferencën për dikë që është në vështirësi dhe vuan në mungesë të tij. Duhet të jesh empatik dhe i motivuar, për të ndarë kohën tuaj për një veprim të tillë kaq human dhe njerëzor.
Përveç ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Kosovë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it, kohën e tyre po e ndajnë edhepër të dhuruar gjak, për të shpëtuar jetë, për të gjithë ata që kanë nevojë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në Prishtinë. Ndër ata që dhuruan gjak sot (17.05.22), ishte edhe vet Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori, Ferenc KAJÁRI, i cili me këtë rast tha:“Përmes këtij organizimi, duam të ju tregojmë të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, se KFOR-i, nuk është këtu vetëm për të ofruar siguri, por edhe për të ofruar mënyra të ndryshme për të ndikuar në një mirëqenie sa më të shëndetshme. Prandaj,mendoj se ky donacion i dhurimit të gjakut, është një aspekt shumë i rëndësishëm, përmes të cilit, ne përkrahim shoqërinë, sepse gjaku është më se i nevojshëm për sistemin shëndetësor.”
Mirënjohëse ndaj gatishmërisë së KFOR-it për të dhuruar gjak dhe njëkohësisht për të ja lehtësuar procesin e punës Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, u shpreh edhe Dr. Hedije Mahmutaj, pjesë e ekipit të kësaj qendre, e cila u shpreh: “Jemi shumë falënderues për vazhdimin e aksionit vullnetar për dhurimin e gjakut nga KFOR-i. Ky aksion është i domosdoshëm për shumë njerëz në Kosovë, sepse kemi shumë kërkesa për gjak dhe produkte të tij. I falënderojmë të gjithë dhuruesit e gjakut, sepse gjaku i tyre shpëton jetë. Ata janë dhurues anonim të shumë njerëzve që kanë nevojë për të.”
Përveç trupave ndërkombëtare të KFOR-it, këtij aksioni iu bashkua edhe ekipi civil, që punojnë në misionin e KFOR-it, njëri ndër të cilët ishte edhe z. Gëzim Galimuna, i cili ishte i lumtur për veprimin e tij dhe tha: “Sot dhurova gjak, për të shpëtuar jetë.”
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Komandanti i MSU-së, Maurizio Mele, i cili po ashtu dha një deklaratë për Radio KFOR-in:
“Jam shumë i lumtur që sapo e bëra një akt, të cilin e konsideroj si shumë human, por njëkohësisht mendoj që është një mundësi fantastike, jo vetëm për njerëzit që kanë nevojë për gjak, por edhe për ne që e dhurojmë atë, sepse shpeshherë priremi që të harrojmë rëndësinë e këtij akti. Unë e nënvizoj që ne e bëjmë këtë veprim edhe për veten tonë, sepse përgjatë dhurimit të gjakut, ne kemi mundësi që të kontrollojmë edhe gjendjen tonë shëndetësore. Pra, bëjeni dhe për veten dhe për të tjerët. Nëse jeni me fat dhe gëzoni shëndet të mirë, dhuroni që edhe të tjerët të kenë një shëndet të plotë.”
Sipas organizatorëve, aktivitet i ngjashëm i dhurimit të gjakut do të përsëritet edhe më 14 qershor, në “Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut”.