Në vijim mund të lexoni intervistën e parë të komandantit të KFOR-it Gjeneralmajorit, Angelo Michele RISTUCCIA, realizuar ekskluzivisht për Radio KFOR-in:
- Pikë së pari komandant më lejoni që në emër të Radio K4-it dhe të gjithë dëgjuesve tanë t’ju uroj mirëseardhje shumë të ngrohtë në Kosovë. Ju jeni komandanti i 27-të në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it. Çfarë mund të presë populli i Kosovës nga udhëheqja e juaj si komandant i ri i KFOR-it?
KFOR-i është një histori suksesi dhe realitet solid. Rezultatet e arritura deri më sot tregojnë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të pranisë ushtarake ndërkombëtare për të garantuar paqe dhe siguri në Kosovë. Si përfaqësues i NATO-s dhe i Komunitetit Ndërkombëtar, ne në Kosovë jemi akoma të vendosu që të japim kontributin tonë dhe të sigurojmë përparim, stabilitet afatgjatë dhe një të ardhme të lulëzuar.
- A mund të na shpjegoni domethënien dhe rëndësinë e motos suaj “Të formësojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë”?
Motoja e Forcës së Kosovës (KFOR) XXVII: të formësojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë”, u konceptua si një përkujtim i lidhjeve të krijuara në mision, që ekziston midis NATO-s dhe gjithë popullit të Kosovës si dhe një njohje e përpjekjeve të vazhdueshme nga një numër i gjerë kombesh, duke përfshirë edhe aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët marrin pjesë në këtë mision.
Duke krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurt me liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, KFOR-i vazhdon të krijojë kushtet për një të ardhme më të mirë për ata që jetojnë në Kosovë. Motoja synon gjithashtu të ripohojë se në këtë përpjekje, NATO-ja nuk është vetëm: organizata të tjera ndërkombëtare dhe vende të tjera të rajonit zotohen për vendosmërinë e tyre drejt përparimit, stabilitetit afatgjatë dhe një të ardhmeje të lulëzuar.
Në këtë frymë, motoja është një dëshmi e vizionit të përbashkët, një përpjekjeje të përbashkët dhe një qëllimi të përbashkët, për të ofurar perspektiva më të mira për të mirën e brezave të ardhshëm. Kur ka një sens të përbashkët dhe qëllim, atëherë ne lëvizim si një, me një vizion të vetëm. Nuk ka rëndësi se sa i vështirë mund të jetë formësimi i së tashmes, e as me sa sfida mund të përballemi. Ajo që është e rëndësishme është e ardhmja e begatë që meriton ky rajon. Motoja njeh atë që na bashkon në përpjekjet tona të përbashkëta. Ajo gjithashtu pasqyron punën e palodhshme dhe udhëheqjen e komandantëve të NATO-s, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë pasuar njëri-tjetrin në misionin e KFOR-it. Nëpërmjet tyre na kujtohet udhëheqja me maturi e brezave të tërë ushtarësh dhe civilësh, në njëzet e tre vitet e fundit.
Ne qëndrojmë të përkushtuar në mbrojtjen e së tashmes, formësimin e së ardhmes dhe për të siguruar që Kosova të jetë një vend i sigurt me përparim të vazhdueshëm drejt një të ardhmeje të përparuar për brezat e ardhshëm.
- Çfarë mendimi keni për misionin e KFOR-it, popullin e Kosovës dhe situatën në përgjithësi?
NATO-ja ka qenë me dekada e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Misioni ynë i KFOR-it është demonstrimi më i dukshëm i këtij angazhimi.
KFOR-i e kryen misionin e tij duke bashkëpunuar ngushtë me një sërë aktorësh, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-in, Organizatat e Sigurisë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Njerëzit e Kosovës dëshirojnë paqe dhe qetësi dhe KFOR-i, duke u bazuar në sensin e përbashkët dhe qëllimin, është i përkushtuar plotësisht për të përmbushur misionin e vet, me një vizion të vetëm, sado i vështirë të jetë.
Por dua të jem shumë i qartë për këtë: rezultatet e arritura deri më tani janë shumë të vlefshme për t’u vënë në pikëpyetje dhe çdo përpjekje për t’i minuar ato, do të jetë e papranueshme për KFOR-in. Ato nuk janë asete të negociueshme. Misioni ynë i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe në përputhje me mandatin e tij në OKB, është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.
- Sipas mendimit tuaj, cilët janë përbërësit kryesorë për një stabilitet afatgjatë në Kosovë?
Transparenca, neutraliteti, paanshmëria dhe lufta kundër dezinformimit, si dhe propagandës janë kushte thelbësore për të garantuar besueshmërinë dhe për të nxitur besimin e ndërsjellë ndërmjet palëve, si dhe për të promovuar dialogun si kusht themelor për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme në të gjithë rajonin. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor – dhe neutral – në garantimin e sigurisë në mbarë Kosovën dhe të kontribuojë në stabilitet në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja është platforma kryesore për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme. Ne u bëjmë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme apo retorika akuzuese dhe të angazhohen në mirëbesim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike. Normalizimi i raporteve mes të dy palëve, është çelësi për stabilitet të qëndrueshëm.
- Çfarë mesazhi keni për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it?
Sakrifica e të rënëve dhe të plagosurve tanë, jetët e civilëve të pafajshëm pavarësisht prejardhjes, etnisë apo besimit fetar, të vrarë apo të martirizuar nga një konflikt që nuk duhet të përsëritet, kërkojnë angazhimin tonë për të formësuar të tashmen për një të ardhme më të mirë, pa harruar se e kaluara përfaqëson një tragjedi, përsëritja e së cilës absolutisht duhet të shmanget.